E pranishme në Këshillin e Integrimit Evropian, ku e ftuar ishte komisionerja evropiane për Zgjerimin, Marta Kos, deputetja e PD-së, Jorida Tabaku, ngriti shqetësimet për procesin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian, duke u ndalur veçanërisht te korrupsioni, pavarësia e drejtësisë dhe rasti i ish-zëvendëskryeministres Belinda Balluku.
Tabaku deklaroi se mazhoranca socialiste ka dobësuar kontrollin parlamentar dhe ka eliminuar hapësirën për diskutime të rëndësishme mbi integrimin evropian. Sipas saj, në Parlament flitet gjithnjë e më pak për këtë proces, ndërsa qeveria jep gjithnjë e më pak llogari.
Po ashtu deputetja e PD-së u ndal te situata politike në vend dhe protestat që po zhvillohen prej ditësh, duke i cilësuar kërkesat e protestuesve si një thirrje për më shumë Evropë, institucione të forta dhe sundim të ligjit.
“Ne kemi dërguar letra për këto shkelje dhe ju vini në një moment kur ka një protestë prej shumë ditësh, ku kërkohet më shumë Evropë, institucione të forta dhe sundim i ligjit. Për ne kjo është kërkesë për më shumë Evropë. Pas çdo pale zgjedhjesh kemi pasur më pak Evropë, më pak shtet të së drejtës dhe më shumë mbrojtje politike të korrupsionit”, u shpreh Tabaku.
Ajo paralajmëroi se procesi i integrimit evropian nuk duhet të përdoret si fasadë, ndërsa theksoi se shqetësimi i qytetarëve shqiptarë lidhet me rrezikun që përparimi drejt BE-së të mos shoqërohet me forcimin e institucioneve dhe zbatimin e barabartë të ligjit.