Komisionerja Evropiane për Zgjerimin, Marta Kos ndodhet në Tiranë dhe gjatë mbledhjes së Këshillit Kombëtar për Integrimin Evropian, tha se ecuria e Shqipërisë drejt anëtarësimit në BE do të varet nga rezultatet konkrete në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, zbatimi i reformave dhe pavarësia e institucioneve. Kos theksoi se vëmendja e Brukselit do të përqendrohet te veprimet konkrete të autoriteteve shqiptare dhe jo vetëm te angazhimet politike. “Rezultatet konkrete të Shqipërisë në luftën ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar, si dhe përafrimi me ligjet e BE-së për mjedisin, do të jenë ndër testet më vendimtare. Fokusi do të jetë te zbatimi, te veprimet dhe jo thjesht te fjalët”, deklaroi Kos.
Komisionerja i kushtoi vëmendje të veçantë funksionimit të shtetit të së drejtës, duke nënvizuar se reagimi i autoriteteve ndaj hetimeve që përfshijnë persona në pozita të larta pushteti do të jetë një tregues i rëndësishëm i pavarësisë së institucioneve. “Në shtetin e së drejtës do të shohim se si autoritetet reagojnë ndaj hetimeve, përfshirë rastet kur ato kanë të bëjnë me vendosjen para përgjegjësisë të personave në pozita të larta pushteti. Pikërisht aty do të shihet nëse institucionet janë vërtet të pavarura dhe nëse institucionet po ndryshojnë realisht”, u shpreh ajo.
Sipas Kos, Shqipëria ka mundësitë për të avancuar në procesin e integrimit evropian, por përmbushja e objektivave kërkon vullnet dhe angazhim të vazhdueshëm në zbatimin e reformave. “Shqipëria i ka mundësitë t’ia dalë mbanë dhe një vullnet i tillë do të duhet gjatë vitit që vjen”, deklaroi komisionerja.
Gjatë fjalës së saj, Kos vlerësoi edhe mbështetjen e lartë të qytetarëve shqiptarë për anëtarësimin në BE, duke e cilësuar atë si një mandat të rëndësishëm për ndërmarrjen e reformave të nevojshme. “Shumica dërrmuese e shqiptarëve, pra qytetarët, e mbështesin anëtarësimin në BE. Mbështetja është më e larta në të gjitha vendet kandidate. Kjo ju jep mandatin për të ndërmarrë reformat e nevojshme”, tha Kos.
Në përfundim, komisionerja nënvizoi rëndësinë e përfshirjes së qytetarëve në procesin e integrimit, si dhe rolin e Këshillit Kombëtar për Integrimin Evropian në këtë drejtim. “Për të ruajtur këtë mbështetje është e rëndësishme që qytetarët të përfshihen në këtë proces. Zbatimi i ligjeve është i rëndësishëm dhe Këshilli Kombëtar për Integrimin Evropian, pra ju, keni një rëndësi të veçantë”, përfundoi Marta Kos.
Marta Kos në Tiranë, Tabaku: Shqiptarët kërkojnë më shumë Europë në protestat e tyre
