Misioni i Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX) ka mbështetur Institutin e Mjekësisë Ligjore (IML) me mobilie dhe pajisje, me qëllim të përmirësimit të kushteve për ekzaminimin mjekoligjor të të mbijetuarve të dhunës seksuale.

Donacioni është dorëzuar të enjten nga shefi i EULEX-it, Antero Lopes, te ushtruesi i detyrës së drejtorit të përgjithshëm të IML-së, Dr. Valon Hyseni.


Sipas njoftimit të EULEX-it, mbështetja përfshin edhe rinovimin e dy dhomave që shfrytëzohen për intervista dhe ekzaminime mjekoligjore, me qëllim që ato t'u përgjigjen më mirë nevojave të të mbijetuarve të dhunës seksuale, përfshirë të rriturit dhe fëmijët.

Lopes ka theksuar rëndësinë e krijimit të një ambienti që garanton dinjitetin, privatësinë dhe trajtimin e duhur të viktimave.

“Ekzaminimet mjekoligjore të mbijetuarve të dhunës seksuale, të cilët shpesh janë gra, por, siç tregojnë me keqardhje edhe statistikat, edhe fëmijë, veçanërisht vajza, kërkojnë kujdes të veçantë dhe një mjedis që e respekton dinjitetin, privatësinë dhe nevojat individuale të tyre”, ka deklaruar Lopes.

Ai ka shtuar se përmes kësaj mbështetjeje synohet që institucionet e Kosovës të ofrojnë shërbime më të ndjeshme ndaj traumës dhe në përputhje me standardet ndërkombëtare për të drejtat e njeriut.

Ndërkaq, ushtruesi i detyrës së drejtorit të përgjithshëm të IML-së, Valon Hyseni, ka thënë se trajtimi me dinjitet dhe respektimi i konfidencialitetit të të mbijetuarve janë përgjegjësi e institutit.

“Kur të mbijetuarit e dhunës seksuale vijnë në IML, është përgjegjësia jonë që t’i trajtojmë me dinjitet dhe të sigurohemi që ekzaminimet mjekoligjore të kryhen në mënyrë profesionale, duke i kushtuar kujdes të duhur mirëqenies dhe konfidencialitetit të tyre. I jemi mirënjohës EULEX-it për mbështetjen e tij”, ka deklaruar Hyseni.

EULEX ka bërë të ditur se rinovimi i këtyre hapësirave është një hap i përkohshëm drejt përmirësimit të shërbimeve për të mbijetuarit e dhunës seksuale.

Sipas njoftimit, prioritet afatgjatë mbetet krijimi i një qendre të qasshme për referimin e rasteve të dhunës seksuale, ku të mbijetuarit do të mund të marrin ekzaminime mjekësore dhe mjekoligjore, mbështetje për përballimin e traumës, si dhe këshillim ligjor e psikologjik. /Telegrafi/