Me dhjetëra doza kokaine me vete në afërsi të një shkolle, arrestohet 43 vjeçari në Tiranë (EMRI)
Një 43 vjeçar i identifikuar si Selam Imeraj është arrestuar nga policia.
Imeraj u kap me 30 doza të lëndës së dyshuar narkotike Kokainë, gati për shitje në një lokal në afërsi të një shkolle.
gjatë kontrollit në banesën e tij, u gjetën 393.6 gramë të së njëjtës lëndë, të cilën dyshohet se do ta ndante në doza, me qëllim shitjen në afërsi të institucioneve arsimore dhe në zona të ndryshme të kryeqytetit.
Njoftimi i policisë:
Arrestohet një 43-vjeçar, në një lokal në afërsi të një shkolle, në rrugën “Viktor Eftimiu”, me dhjetëra doza Kokaine me vete, gati për shitje.
Sekuestrohen dozat e Kokainës, sasi e kësaj lënde që iu gjet të arrestuarit, në banesë (në total 407 gramë), si dhe 2 celularë.
Si rezultat i punës operative permanente të kryer me qëllim parandalimin e depërtimit të veprimtarive kriminale, në mjediset e shkollave, përreth tyre dhe në ambiente të tjera që frekuentohen nga të rinjtë, specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve finalizuan një tjetër fazë të operacionit të koduar “Shkolla të Pastra”, në kuadër të së cilës u arrestua në një lokal në afërsi të një shkolle, në rrugën “Viktor Eftimiu”, shtetasi Selam Imeraj, 43 vjeç.
Gjatë kontrollit fizik ndaj tij, u gjetën 30 doza të lëndës së dyshuar narkotike Kokainë, gati për shitje, ndërsa gjatë kontrollit në banesën e tij, u gjetën 393.6 gramë të së njëjtës lëndë, të cilën dyshohet se do ta ndante në doza, me qëllim shitjen në afërsi të institucioneve arsimore dhe në zona të ndryshme të kryeqytetit.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.




