Një 43-vjeçar është arrestuar në Tiranë në kuadër të operacionit të koduar “Shkolla të Pastra”, pasi dyshohet se shpërndante lëndë narkotike kokainë pranë institucioneve arsimore dhe në zona të ndryshme të kryeqytetit.
Në pranga ka rënë shtetasi Selam Imeraj, i cili u kap në një lokal pranë një shkolle, në rrugën “Viktor Eftimiu”.
Gjatë kontrollit fizik, policia i gjeti 30 doza të dyshuara si kokainë, të përgatitura për shitje. Ndërsa gjatë kontrollit në banesën e tij, u sekuestruan edhe 393.6 gramë të së njëjtës lëndë narkotike.
Në total, në cilësinë e provës materiale u sekuestruan rreth 407 gramë kokainë, si dhe dy telefona celularë.
Sipas policisë, 43-vjeçari dyshohet se do ta ndante sasinë e gjetur në banesë në doza të vogla, me qëllim shitjen pranë institucioneve arsimore dhe në zona të ndryshme të Tiranës.












