Gjykata e Apelit në Paris ka konfirmuar dërgimin në gjyq të aktorit Gerard Depardieu lidhur me akuzën për përdhunim që ka ngritur aktorja Charlotte Arnould. Sipas raportimit të BFMTV, 77-vjeçari do të përballet me proces penal për ngjarjen e pretenduar të datës 7 gusht 2018.
Arnould, e cila në atë kohë ishte 22 vjeçe, deklaron se shkoi në banesën e Depardieu në Paris — i cili ishte mik i të atit të saj — për të marrë këshilla për karrierën artistike dhe pretendon se u përdhunua gjatë asaj vizite. Gjashtë ditë më vonë, më 13 gusht 2018, ajo ka shkuar sërish në të njëjtën banesë për t’u përballur me aktorin dhe pretendon se është sulmuar seksualisht për herë të dytë. Pak kohë pas këtyre ngjarjeve, Arnould denoncoi rastin në polici.
Në vendimin e saj, sipas BFMTV, gjykata ka marrë parasysh edhe pamjet e kamerave të sigurisë të instaluara në banesën e aktorit. Rreth 90 për qind të skenave që përshkruhen nga Arnould janë regjistruar nga këto kamera; pamjet nuk përmbajnë audio, por sipas raportimit ato tregojnë situatat që pretendon aktorja. Mbrojtja e Gerard Depardieu ka deklaruar se Arnould nuk ka bërë rezistencë gjatë episodeve të pretenduara.
Ky rast shtohet në listën e akuzave për sjellje seksuale ndaj Depardieu: ai është dënuar përfundimisht për sulm seksual ndaj dy grave gjatë xhirimeve të filmit Les Volets verts. Fillimisht kishte paraqitur apel ndaj këtij vendimi, por më 13 nëntor e tërhoqi apelimin, duke shprehur “falje të thella dhe të sinqerta ndaj të gjithë atyre që mund të kenë vuajtur për shkak të kësaj”.
Me vendimin e fundit të Gjykatës së Apelit në Paris, Depardieu do të gjykohet për episodin e pretenduar të 7 gushtit 2018. Për ngjarjen e pretenduar më 13 gusht 2018, gjykata ka vendosur mosvazhdimin e procedimit penal.
