Gjykata e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë ka caktuar masat e sigurisë për katër persona të arrestuar më 23 nëntor, të dyshuar për armëmbajtje pa leje. Në vendimin e shpallur më 26 nëntor 2026, gjykata ka vlerësuar të ligjshëm arrestimin në flagrancë të të katër personave, por ka caktuar masa më të lehta sigurie për ta.
Tre prej të arrestuarve, me inicialet E.R., E.S. dhe L.M., janë lënë nën masën e sigurisë “Detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore”. Sipas vendimit, ata duhet të paraqiten një herë në muaj, të hënën e parë të çdo muaji, në orën 12:00, pranë Prokurorisë së Tiranës. Për personin me inicialet I.Sh., gjykata ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”, duke e detyruar të qëndrojë në banesën e tij dhe të mos komunikojë me persona të tjerë, përveç familjarëve dhe mbrojtësve.
Gjykata ka urdhëruar lirimin e menjëhershëm të të katër personave nga dhomat e paraburgimit, përveç rasteve kur ata mbahen të izoluar për ndonjë çështje tjetër penale ose në ekzekutim të një vendimi tjetër gjyqësor. Të katër personat dyshohen për kryerjen e veprës penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, të parashikuar nga neni 278/1 i Kodit Penal.
Vendimi i Gjykatës së Shkallës së Parë mund të ankimohet në Gjykatën e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë brenda pesë ditësh, duke nisur nga dita e nesërme e njoftimit të vendimit.
