Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë së Lirisë, Tedi Blushi, ngriti një sërë shqetësimesh lidhur me procesin e integrimit evropian të Shqipërisë gjatë takimit të Këshillit Kombëtar të Integrimit Evropian me komisioneren për Zgjerimin, Marta Kos.
Blushi deklaroi se Partia e Lirisë mbështet anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian, por theksoi se procesi nuk mund të kufizohet vetëm te hapja dhe mbyllja e kapitujve të negociatave.
Sipas tij, integrimi kërkon shtet të së drejtës, institucione të pavarura, luftë kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, si dhe respektimin e lirive dhe të drejtave themelore.
Gjatë fjalës së tij, Blushi evidentoi dy shqetësime kryesore, duke u ndalur fillimisht te bllokimi i fondeve evropiane. Ai iu referua programit IPARD III, duke deklaruar se mosaktivizimi i tij, i evidentuar edhe në Raportin e Progresit të 4 nëntorit, u ka mohuar fermerëve shqiptarë rreth 336 milionë euro mbështetje për një periudhë trevjeçare.
Blushi përmendi edhe Planin e Rritjes së Bashkimit Evropian, duke pretenduar se nga 922 milionë euro të parashikuara, deri në fund të vitit 2025 Shqipëria kishte përfituar vetëm 76,2 milionë euro mbështetje buxhetore.
Ndërkohë, për 228,47 milionë euro investime, sipas tij, disbursimi kishte qenë zero për shkak të mosrealizimit të reformave.
Sipas Blushit, Komisioni Evropian nuk duhet të mjaftohet vetëm me evidentimin e problematikave, por duhet të kërkojë përgjegjësi politike dhe institucionale për fondet e bllokuara.
Ai ngriti gjithashtu shqetësime për ndikimin e korrupsionit dhe ekonomisë informale në procesin e integrimit, duke theksuar se Shqipëria duhet të përmbushë kriteret e anëtarësimit dhe të garantojë që fondet evropiane të shkojnë te përfituesit për të cilët janë parashikuar.
Pjesën e dytë të fjalës, Blushi ia kushtoi çështjes së ish-presidentit Ilir Meta dhe pretendimeve për shkeljen e të drejtave të tij themelore gjatë qëndrimit në paraburgim. Ai e cilësoi arrestimin e Metës si të paligjshëm dhe pretendoi se procesi ndaj tij po zvarritet për arsye politike.
Blushi kërkoi nga komisionerja Marta Kos monitorim të posaçëm evropian, hetim të pavarur për mënyrën e arrestimit të ish-presidentit, garantimin e të drejtave të tij themelore dhe transparencë të plotë të procesit gjyqësor.
Në përfundim, ai theksoi se Shqipëria duhet të integrohet në një Bashkim Evropian të mbështetur te demokracia, liria dhe shteti i së drejtës, duke kërkuar një qëndrim më të vendosur nga institucionet evropiane ndaj problematikave që, sipas tij, pengojnë rrugëtimin evropian të vendit.