Gjykata Kushtetuese ka pezulluar pjesërisht aktin normativ të qeverisë për ndryshimet në ligjin “Për tubimet”, duke ndalur zbatimin e sanksioneve administrative për bllokimin e rrugëve gjatë protestave.
Vendimi është marrë më 26 nëntor nga Mbledhja e Gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese, e cila shqyrtoi kërkesën për pezullimin e pjesshëm të aktit normativ nr. 5, datë 28 tetor 2026, të Këshillit të Ministrave.
Kërkesa ishte paraqitur nga Qendra “Res Publica”, Komiteti Shqiptar i Helsinkit, Shoqata Ornitologjike e Shqipërisë, Qendra për Ruajtjen e Ekosistemeve Natyrore në Shqipëri, si dhe grupimet studentore “Studentët n’Protestë” dhe “Revolucioni Studentor”. Përveç pezullimit, këto organizata dhe grupime kanë kërkuar edhe shfuqizimin e plotë të aktit normativ.
Me shumicë votash, Gjykata Kushtetuese vendosi pranimin e pjesshëm të kërkesës dhe pezullimin e zbatimit të nenit 5 të aktit normativ, në pjesën që shton nenin 24/1, pika 2, të ligjit “Për tubimet”.
Kjo dispozitë parashikon sanksione administrative për bllokimin e rrugëve automobilistike dhe akseve rrugore gjatë zhvillimit të tubimeve, kur si pasojë pengohet qarkullimi i mjeteve të transportit.
Gjykata vendosi gjithashtu që çështja të shqyrtohet me përparësi. Pezullimi do të jetë në fuqi deri në shqyrtimin përfundimtar të kërkesës për kushtetutshmërinë e aktit normativ.a.b






