Gjykata Kushtetuese ka pranuar kërkesën e studentëve dhe ka vendosur të pezullojë pjesërisht zbatimin e aktit normativ nr. 5, datë 28.10.2026, të Këshillit të Ministrave, që ndryshon ligjin “Për tubimet”. Vendimi u dha këtë të enjte, pas shqyrtimit të kërkesës së paraqitur nga disa organizata të shoqërisë civile dhe grupime studentore, të cilat kanë kërkuar edhe shfuqizimin e plotë të aktit normativ. Me shumicë votash, Mbledhja e Gjyqtarëve vendosi pezullimin e zbatimit të nenit 5 të aktit normativ, në pjesën që parashikon sanksione administrative për bllokimin e rrugëve automobilistike gjatë zhvillimit të tubimeve, kur kjo sjell pengimin e qarkullimit të mjeteve të transportit. Gjykata vendosi që çështja të shqyrtohet me përparësi. Ndërkohë, kërkesa për shfuqizimin e aktit normativ është kaluar për shqyrtim në seancë plenare publike, më 25 nëntor 2026.
Njoftimi:
Më 26.11.2026, Mbledhja e Gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese shqyrtoi kërkesën për pezullimin e pjesshëm të zbatimit të aktit normativ nr. 5, datë 28.10.2026, të Këshillit të Ministrave, “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 8773, datë 23.04.2001, ‘Për tubimet’”.
Kërkesa për pezullim u paraqit nga Qendra “Res Publica”, Komiteti Shqiptar i Helsinkit, Shoqata Ornitologjike e Shqipërisë, Qendra për Ruajtjen e Ekosistemeve Natyrore në Shqipëri dhe grupimet informale studentore “Studentët n’Protestë” dhe “Revolucioni Studentor”, të cilat kanë kërkuar edhe shfuqizimin në tërësi të aktit normativ.
Në përfundim të shqyrtimit, Mbledhja e Gjyqtarëve, me shumicë votash, vendosi:
1. Pranimin e pjesshëm të kërkesës për pezullim.
2. Pezullimin e zbatimit të nenit 5 të aktit normativ, në pjesën që shton nenin 24/1, pika 2, të ligjit “Për tubimet”. Kjo dispozitë parashikon sanksion administrativ për bllokimin e rrugëve automobilistike ose të akseve rrugore gjatë një tubimi, me pasojë pengimin e qarkullimit të mjeteve të transportit.
3. Shqyrtimin me përparësi të çështjes.
Çështja për shfuqizimin e aktit normativ ishte kaluar për shqyrtim në seancë plenare publike më 25.11.2026.
Çfarë vendosi Gjykata?
Mbledhja e Gjyqtarëve, me shumicë votash, vendosi pezullimin e nenit 5 të aktit normativ, në pjesën që shton nenin 24/1, pika 2, të ligjit “Për tubimet”. Kjo dispozitë parashikon sanksione administrative për bllokimin e rrugëve automobilistike ose të akseve rrugore gjatë zhvillimit të një tubimi, kur pengohet qarkullimi i mjeteve të transportit. Në arsyetimin e saj, shumica vlerësoi se dispozita është formuluar në terma të përgjithshëm dhe nuk bën dallim nëse sanksioni zbatohet edhe ndaj pjesëmarrësve në tubime për të cilat është dhënë autorizimi përkatës.
Sipas Gjykatës, kjo paqartësi mund të sjellë pasoja të drejtpërdrejta dhe të rënda për ushtrimin e lirive dhe të drejtave kushtetuese, duke justifikuar pezullimin e saj deri në vendimin përfundimtar. Nga ana tjetër, Gjykata nuk pranoi pezullimin e dispozitave të tjera të kundërshtuara, që lidhen me përcaktimin e zonave ku mund të kufizohen tubimet, kompetencat për ndërhyrjen ndaj tyre dhe sanksionet administrative. Sipas shumicës, kërkuesit nuk arritën të provojnë në këtë fazë ekzistencën e pasojave të rënda dhe të pariparueshme që do të justifikonin pezullimin e këtyre dispozitave. Gjithashtu, për shkak të natyrës së çështjes dhe rëndësisë së pretendimeve kushtetuese, Mbledhja e Gjyqtarëve vendosi që shqyrtimi i çështjes në themel të bëhet me përparësi.
Dy gjyqtare kërkuan pezullimin e plotë të aktit normativ
Një qëndrim të ndryshëm nga shumica mbajtën gjyqtaret Marsida Xhaferllari dhe Sonila Bejtja, të cilat paraqitën mendim pjesërisht kundër, duke vlerësuar se kërkesa duhej të pranohej në tërësi dhe të pezulloheshin të gjitha dispozitat e kundërshtuara. Në mendimin e tyre, dy gjyqtaret theksojnë se liria e tubimit paqësor, e garantuar nga Kushtetuta dhe Konventa Evropiane për të Drejtat e Njeriut, është një nga themelet e shoqërisë demokratike dhe duhet të mbrohet në mënyrë efektive.
Sipas tyre, zbatimi i menjëhershëm i ndryshimeve ligjore rrezikon të sjellë pasoja serioze dhe të pariparueshme për ushtrimin e kësaj lirie. Ato ngrenë shqetësime veçanërisht për listën e gjerë të zonave ku ndalohen tubimet, kompetencat diskrecionare të Policisë së Shtetit për ndërprerjen e tyre, ndërhyrjen në të dhënat personale dhe gjobat e larta të parashikuara për protestuesit. Gjyqtaret vënë në dukje gjithashtu se këto masa mund të krijojnë efekt frenues ndaj qytetarëve që dëshirojnë të marrin pjesë në protesta, veçanërisht studentëve dhe të rinjve, për shkak të barrës financiare që mund të sjellin gjobat.
Në përfundim, dy gjyqtaret vlerësojnë se pezullimi i të gjitha dispozitave të kundërshtuara ishte i nevojshëm për të shmangur cenimin e mundshëm të lirive kushtetuese deri në përfundimin e gjykimit. Çështja mbetet e hapur për shqyrtim në themel. Vendimi për pezullimin e pjesshëm nuk përbën një vendimmarrje përfundimtare mbi kushtetutshmërinë e aktit normativ. Gjykata pritet të shqyrtojë në seancë plenare publike kërkesën për shfuqizimin e tij në tërësi.
