Partia e Lirisë ka ngritur shqetësimet për procesin e integrimit europian të Shqipërisë gjatë takimit me Komisioneren për Zgjerimin, Marta Kos, ku ka kërkuar që Bashkimi Europian të mos mjaftohet vetëm me hapjen e kapitujve të negociatave, por të kërkojë përgjegjësi konkrete për korrupsionin, krimin e organizuar dhe shkeljen e të drejtave themelore.

“Kur korrupsioni i Qeverisë bllokon reformat dhe u mohon shqiptarëve qindra milionë euro ndihma europiane, si në rastin e fondeve IPARD, për të cilat fermerët kanë humbur rreth 336 milionë euro mbështetje, ky nuk është integrim, por sabotim i perspektivës evropiane. Nga ana tjetër, mosrealizimi i reformave ka sjellë edhe mosdisbursimin e qindra milionë eurove të parashikuara për investime nga Plani i Rritjes së BE-së. Korrupsioni dhe deformimet e ekonomisë përmes asaj që e cilësojmë si ‘narko-euro’ janë një kambanë alarmi që nuk mund të shpërfillet nga institucionet europiane. Evropa nuk mund të jetë vetëm euro dhe, aq më pak, narko-euro”, tha Tedi Blushi.

Sipas Partisë së Lirisë, një tjetër çështje e ngritur gjatë takimit ishte ajo e ish-presidentit Ilir Meta. Në këtë kuadër, Blushi ka kërkuar monitorim të posaçëm europian për procesin gjyqësor ndaj tij, hetim të pavarur për arrestimin, garantimin e të drejtave themelore dhe transparencë të plotë të procesit.

“Shqipëria nuk kërkon të anëtarësohet në një Evropë që mbyll sytë përballë Narkoshtetit, por në Evropën e shtetit të së drejtës, të lirisë dhe të demokracisë. Evropa nuk mund të jetë streha politike e Narkoshtetit, por fundi i pandëshkueshmërisë së tij”, deklaroi Blushi.

Deklarata e plotë:

Partia e Lirisë mbështet palëkundur integrimin evropian të Shqipërisë. Por integrimi nuk është thjesht hapje kapitujsh. Ai kërkon shtet të së drejtës, institucione të pavarura, luftë kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, si dhe respektim të lirive dhe të drejtave themelore.
Dua të evidentoj dy shqetësime madhore.
Së pari, bllokimi i fondeve evropiane.
Mosaktivizimi i IPARD III, i evidentuar edhe në Raportin e Progresit të 4 nëntorit, u ka mohuar fermerëve shqiptarë rreth 336 milionë euro për tre vite.
Nga 922 milionë euro të parashikuara në Planin e Rritjes së BE-së, deri në fund të vitit 2025 Shqipëria përfitoi vetëm 76.2 milionë euro mbështetje buxhetore, ndërsa për 228.47 milionë euro investime disbursimi ishte zero, për shkak të mosrealizimit të reformave.
Kur korrupsioni i Qeverisë bllokon reformat dhe u mohon shqiptarëve qindra milionë euro ndihma që i vjedh vetë Qeveria si në rastin e fondeve IPARD, ky nuk është integrim por është sabotim i perspektivës evropiane.
I kërkojmë Komisionit Evropian të mos mjaftohet me konstatime, por të kërkojë përgjegjësi politike dhe institucionale.
Narko-euro dhe deformimet e ekonomisë janë kambanë alarmi. Evropa nuk mund të jetë vetëm euro dhe, aq më pak, narko-euro!
Narkoshteti i krijuar nga Edi Rama në zemër të Evropës përbën sot kërcënim për sigurinë kombëtare, rajonale dhe kontinentale, sa kohë Kriteret e Kopenhagenit janë ende në fuqi!
Së dyti, shkelja e të drejtave themelore të Ilir Metës.
Shqipëria është sot i vetmi vend anëtar i NATO-s me të burgosur politik.
Me urdhër publik të Kryeministrit Rama, nga tribuna e Asamblesë së Partisë Socialiste, më 21 tetor 2024, ish-Presidenti i Republikës dhe lideri i i forcës së dytë opozitare, Ilir Meta, u rrëmbye në një operacion mafioz. Dy vite më pas, hetimet ende nuk kanë përfunduar dhe sot nuk ka as autor as përgjegjës për këtë akt kriminal të terrorit shtetëror, pavarësisht se u pa nga e gjithë bota.
Prej dy vitesh në paraburgim politik dhe të paligjshëm, të tejzgjatur për shkak të zvarritjes politike të proceseve gjyqësore, në izolim ekstrem dhe çnjerëzor, me zero prova dhe fakte penale kundër tij, Z. Meta i mohohet edhe liria e shprehjes, e drejta për intervista mediatike (që nuk iu është mohuar as Navalnyt dhe Khodorkovskyt në Rusinë e Putinit), ndërsa gjykimi që duhej të ishte publik mbahet nën censurë dhe pa transparencë.
Kërkojmë monitorim të posaçëm evropian, hetim të pavarur për rrëmbimin, garantimin e të drejtave të tij themelore dhe transparencë të plotë gjyqësore.
E nderuar Komisionere,
Shqipëria nuk kërkon të anëtarësohet në një Evropë që mbyll sytë përballë Narkoshtetit, por në Evropën e shtetit të së drejtës, të lirisë dhe të demokracisë.
Evropa nuk mund të jetë streha politike e Narkoshtetit, por fundi i pandëshkueshmërisë së tij!