Musliu-Shoshi tha se Pakistani është më mirë se Kosova në arsim, Kurti ia kthen: Është fuqi bërthamor
Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Ariana Musliu-Shoshi, ka përplasur qëndrimet me kryeministrin Albin Kurti në seancën e Kuvendit të Kosovës, gjatë pikës së pyetjeve parlamentare.
Musliu-Shoshi ngriti çështjen e takimit të Kurtit me mërgatën, duke e pyetur se mbi çfarë kompetence institucionale kishte bërë ftesën dhe nëse veprimet e tij mund të krijonin përshtypjen e ndërhyrjes politike në një proces që, sipas saj, Kushtetuta ia rezervon një institucioni të pavarur.
Para se të parashtronte pyetjen, deputetja e PDK-së iu referua edhe gjendjes së arsimit në Kosovë, duke deklaruar se Pakistani qëndron më mirë se Kosova në këtë fushë.
“Kryeministër, sa për informim, edhe Pakistani me arsim është më mirë sesa Kosova. Mirëpo, mbi çfarë kompetence institucionale, se nuk je vetëm një politikan i thjeshtë apo një zyrtar i thjeshtë që ke shkuar dhe ke mbajtur takim me mërgatën, ti je kryeministri i Republikës së Kosovës. Pra, mua më intereson ta di personalisht, me çfarë kompetence institucionale e ke bërë këtë ftesë te mërgata jonë?”, pyeti Musliu-Shoshi.
Ajo kërkoi nga kryeministri të sqarojë se si siguron që deklaratat dhe veprimet e tij nuk ndikojnë në perceptimin e publikut për pavarësinë e procesit.
“Dhe si e garantoni që deklaratat e tilla që bëhen nga ju nuk krijojnë përshtypjen e ndërhyrjes politike në një proces shumë të rëndësishëm që Kushtetuta ia rezervon një institucioni të pavarur?”, deklaroi deputetja e PDK-së.
Në përgjigjen e tij, Kurti fillimisht iu kundërpërgjigj deklaratës së Musliu-Shoshit për Pakistanin, duke theksuar se ky shtet është fuqi bërthamore.
“Tash Pakistani është fuqi bërthamore. E kam parasysh që prej nga keni një imazh të tillë të zvetënuar për Pakistanin. Por kjo është një çështje e juaja, nuk është temë për sot”, u shpreh Kurti.
Më pas, kryeministri foli për gjendjen e arsimit në Kosovë, duke thënë se Qeveria po angazhohet për ngritjen e cilësisë, por se problem themelor mbetet decentralizimi i sistemit arsimor dhe kompetencat e komunave.
“Ne po përpiqemi me krejt çfarë dimë e mundemi ta ngrisim cilësinë e arsimit. Unë jam i bindur që problemi themelor që e kemi me arsimin është decentralizimi i tij. Ky decentralizimi i skajshëm nëpër komuna, ku shpeshherë nuk ka mirëqeverisje, ka bërë që të ketë dyndje edhe të brendshme edhe të jashtme. Edhe migracion të jashtëm, por edhe ardhje drejt Prishtinës e Fushë-Kosovës”, deklaroi kryeministri.
Kurti përmendi edhe rritjen e popullsisë në Fushë-Kosovë, duke thënë se kjo komunë tashmë është më e madhe se Peja dhe Gjakova.
“Saqë ju e keni parë se si Fushë-Kosova sot është komunë më e madhe se Peja e Gjakova. Pse ka ndodhur kjo? Kjo ka ndodhur për shkak se me rritjen ekonomike, klasa e mesme në Kosovë nuk dëshiron që fëmijët e tyre në zona rurale të ngelen tek ai arsim, i cili fatkeqësisht për shkak të decentralizimit lëngon nga cilësia, nuk po them gjithkund, por në jo pak vende”, tha Kurti.
Ai i cilësoi arsimin dhe drejtësinë si dy prej sfidave kryesore të Kosovës, duke theksuar nevojën për përfshirjen e bashkatdhetarëve në përmirësimin e këtyre fushave.
“Andaj arsimi dhe drejtësia janë sfidat tona kryesore. Këtu kemi nevojë për ardhje të bashkatdhetarëve, këtu kemi nevojë për një hov të madh përpara”, u shpreh ai.
Në fund, Kurti foli edhe për arsyet që, sipas tij, i shtyjnë qytetarët ta lëshojnë Kosovën. Ai tha se largimi nuk lidhet domosdoshmërisht me mungesën e vendeve të punës apo të sigurisë, por me cilësinë e arsimit dhe problemet në sistemin e drejtësisë.
“Unë jam i bindur që njerëzit nuk e lëshojnë Kosovën për shkak të mungesës së vendit të punës, nuk e lëshojnë Kosovën për shkak se nuk ka më siguri apo mbrojtje, por për shkak të cilësisë së arsimit, në veçanti në zona rurale, së pari, meqenëse është i decentralizuar, dhe në anën tjetër për shkak të sistemit të drejtësisë ku ka aq shumë padrejtësi”, deklaroi kryeministri Kurti.















