Presidenti amerikan, Donald Trump është shprehur optimist për mundësinë e arritjes së një marrëveshjeje të shpejtë paqeje mes Rusisë dhe Ukrainës, pas kontakteve me presidentin rus, Vladimir Putin dhe takimit me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte, në Mar-a-Lago.
Në një postim në rrjetin social Truth Social, Trump bëri të ditur se gjatë bisedimeve me homologun rus i kishte kërkuar atij të tërhiqte agresionin ushtarak rus në Evropë.
Sipas presidentit amerikan, përfundimi i luftës mes Rusisë dhe Ukrainës mbetet një mundësi e fortë. Ai e cilësoi konfliktin si një “gjakderdhje të plotë”, që po shkakton mijëra viktima çdo muaj.
Deklarata e përbashkët e Trump dhe Rutte:
“Presidenti Trump dhe Sekretari i Përgjithshëm Rutte patën një takim të shkëlqyer të mërkurën në mbrëmje, në atë që shpesh quhet Shtëpia e Bardhë Jugore - Mar-a-Lago. Takimi ishte shumë përmbajtjesor, me Luftën midis Rusisë dhe Ukrainës dhe Konfliktin në Iran, si temat kryesore të diskutimit.
Përveç kësaj, diskutuam të gjitha arritjet rekord që SHBA-të dhe NATO-ja kanë arritur së bashku në Samitet në Hagë dhe Ankara. Gjithashtu folëm gjerësisht për rëndësinë që Rusia dhe Ukraina të shmangin çdo veprim që, me qëllim ose pa qëllim, zgjeron Luftën - si dhe për rëndësinë e arritjes së një zgjidhjeje paqësore të Luftës, sa më shpejt të jetë e mundur!
Së fundmi, diskutuam Shpenzimet dhe Investimet në Mbrojtje në Bazën tonë Industriale, si në Shtetet e Bashkuara ashtu edhe në të gjithë NATO-n. E informova NATO-n mbi progresin e jashtëzakonshëm që Kompanitë tona të Mbrojtjes po bëjnë në më shumë se 20 objekte të reja që janë aktualisht në ndërtim e sipër. Fokusi i këtyre Kompanive është në prodhimin e sistemeve Patriot, sistemeve THAAD, raketave Tomahawk dhe shumë armëve të reja, si sulmuese ashtu edhe mbrojtëse, të cilat ende nuk i janë treguar publikut ose vendeve të tjera.
Nuk ka pasur kurrë një kohë kur Shtetet e Bashkuara të kenë prodhuar më shumë pajisje ose municione ushtarake sesa tani.
‘Dollapi’ ynë së shpejti do të jetë plot dhe kur kjo të ndodhë, aleatët dhe partnerët tanë në mbarë botën do të përfitojnë shumë. Faleminderit për vëmendjen tuaj ndaj kësaj çështjeje.”
Në fokus të takimit mes Trump dhe Rutte ishte gjithashtu forcimi i bashkëpunimit mes Shteteve të Bashkuara dhe NATO-s, investimet në mbrojtje dhe rritja e kapaciteteve të industrisë ushtarake.
Presidenti amerikan theksoi se SHBA-ja po përshpejton prodhimin e sistemeve dhe pajisjeve ushtarake, ndërsa nënvizoi se aleatët dhe partnerët e saj do të përfitojnë nga rritja e kapaciteteve prodhuese.
Ndërkohë, sa i përket luftës në Ukrainë, Trump dhe Rutte diskutuan rëndësinë e shmangies së veprimeve që mund të çojnë në përshkallëzimin e mëtejshëm të konfliktit, duke vënë theksin te nevoja për një zgjidhje paqësore sa më të shpejtë.
I dërguari i posaçëm i SHBA-së, Jared Kushner ka vlerësuar publikisht aftësitë politike të presidentit rus Vladimir Putin, duke e cilësuar atë si një “mjeshtër të politikës” dhe “figurë historike”.
Në një intervistë, Kushner u shpreh se Putin është një lider i përgatitur mirë, me njohuri të thella për çështjet që diskutohen në negociatat për përfundimin e luftës në Ukrainë. Sipas tij, presidenti rus është në gjendje t'i shpjegojë qartë dhe me saktësi qëndrimet e tij gjatë bisedimeve.
Kushner theksoi se interesat e Moskës nuk kufizohen vetëm te përfundimi i luftës në Ukrainë, por përfshijnë edhe përmirësimin e marrëdhënieve me Uashingtonin dhe nisjen e një faze të re bashkëpunimi mes dy vendeve.
Deklaratat vijnë pas negociatave trepalëshe të ndërmjetësuara nga SHBA-ja, të cilat deri tani kanë prodhuar rezultate të kufizuara. Takimi i parë mes përfaqësuesve të Rusisë dhe Ukrainës pas nëntë muajsh, i zhvilluar në Abu Dhabi në fillim të nëntorit, solli një marrëveshje për shkëmbimin e një numri të konsiderueshëm të burgosurish, por pa përparim konkret drejt një marrëveshjeje paqeje.
Gjatë intervistës, Kushner bëri të ditur gjithashtu se Rusia ishte shprehur e gatshme të pranonte pjesëmarrjen e partnerëve evropianë në negociata dhe të shqyrtonte garanci të forta sigurie për Ukrainën.





Komente
Komento