Këshilli i Lartë Gjyqësor rrëzoi të enjten një kërkesë të Inspektorit të Lartë të Drejtësisë për caktimin e masës disiplinore “Vërejtje publike” ndaj gjyqtares së Beratit, Lumturi Zhupa.
Sipas ILD, gjyqtarja kishte gabuar në përllogaritjen e pjesës së pavuajtur të dënimit për një të dënuar, duke i privuar atij lirinë për një periudhë të gjatë kohore. Megjithatë, KLGJ vendosi të enjten me shumicë votash të rrëzojë kërkesën e ILD-së.
Ndërkohë, KLGJ pranoi pjesërisht kërkesën për caktimin e masës disiplinore ndaj gjyqtares së Gjirokastrës, Suela Dashi. ILD konstatoi shkelje nga ana e magjistrates për mungesa të pajustifikuara në detyrë për më shumë se 3 ditë pune në vit; mosparaqitje të kërkesës për heqje dorë nga procedimi apo gjykimi si dhe mosrespektim të rëndë ose të përsëritur të legjislacionit procedural e material.
Sipas ILD-së, veprimet dhe mosveprimet e gjyqtares Dashi përbëjnë shkelje të rënda disiplinore, dhe i propozoi KLGJ-së caktimin e masës disiplinore “Ulja e përkohshme e pagës deri në 40 për qind për një periudhë jo më të gjatë se një vit”. KLGJ pranoi shkeljen disiplinore, por caktoi masë disiplinore më të lehtë ndaj Dashit, atë të “Vërejtjes publike”. /BIRN












