Zbardhet vendimi/ Kushtetuesja pezullon pjesërisht aktin normativ për tubimet, dy gjyqtarë kërkuan pezullimin e plotë Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka dhënë këtë të enjte vendimin për fraksionin e dosjes “Veliaj”, i cili u nda për t’u gjykuar me procedurën e gjykimit të shkurtuar.
Gazetarja Anila Hoxha raporton se GJKKO ka dënuar biznesmenin Elman Abule me 7 vite burg, dënim i cili, për shkak të gjykimit të shkurtuar, reduktohet në 4 vite e 8 muaj burg. Abule akuzohet për pastrim parash, ndërsa sipas SPAK, përmes kompanisë së tij “Rametal” janë qarkulluar para drejt subjekteve të lidhura me Ajola Xoxën.
Ndërkohë, shoqëria “Rametal” SHPK është dënuar me 18 milionë lekë gjobë, shumë e cila, për shkak të gjykimit të shkurtuar, reduktohet në 12 milionë lekë. Gjoba duhet të paguhet brenda një afati prej 6 muajsh.
Në të njëjtën çështje, gjykata ka vendosur pafajësinë për biznesmenin Fatmir Bektashi dhe shoqërinë “Kontakt” SHPK.
Ky vendim i GJKKO-së lidhet me fraksionin e dosjes së SPAK ndaj kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, i cili u nda për gjykim të shkurtuar dhe përfshinte tetë persona dhe tri shoqëri tregtare.
Vendimi për këtë fraksion të dosjes “Veliaj” është shpallur këtë të enjte, pasi një ditë më parë seanca ishte shtyrë për shkak të kohës shtesë që i nevojitej gjykatës për shqyrtimin e prapësimeve me shkrim të palëve.
Në këtë proces, ish-deputetja Klotilda Bushka është dënuar me 300 mijë lekë gjobë, dënim që me aplikimin e gjykimit të shkurtuar reduktohet në 200 mijë lekë.
Frosina Bollo është dënuar me 1 vit burg, që me gjykim të shkurtuar reduktohet në 8 muaj. Ky dënim është konvertuar në 16 muaj shërbim prove. Ndërkohë, OJF-ja “Frobulos” është dënuar me 500 mijë lekë gjobë, shumë e cila pas reduktimit për shkak të gjykimit të shkurtuar zbret në 333 mijë lekë.
Adela Kondakciu është dënuar me 7 vite burg, që me gjykim të shkurtuar reduktohen në 4 vite e 8 muaj, por gjykata ka vendosur përjashtimin e saj nga vuajtja e dënimit për shkak të statusit si bashkëpunëtore e drejtësisë.
Nga ana tjetër, Flutur Xhani është shpallur e pafajshme.
Ndërsa Fatjon Baci është dënuar me 5 vite burg, që me gjykim të shkurtuar reduktohen në 3 vite e 4 muaj. Gjykata ka vendosur pezullimin e dënimit me burg dhe konvertimin e tij në 5 vite shërbim prove.
Top Channel