Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi, prezantoi në Kuvend projektligjin për ratifikimin e ndryshimeve në Memorandumin e Mirëkuptimit të Parisit për Kontrollin Shtetëror Portual, duke theksuar se ky është një hap i rëndësishëm për forcimin e sigurisë së lundrimit, mbrojtjen e mjedisit detar dhe përmbushjen e angazhimeve të Shqipërisë në procesin e integrimit evropian.
Gjatë fjalës së tij, Karakaçi u shpreh se Shqipëria, për shkak të pozicionit të saj strategjik në Mesdhe dhe rolit në zhvillimin e transportit detar, ka përgjegjësinë të garantojë që aktiviteti detar të zhvillohet sipas standardeve më të larta ndërkombëtare të sigurisë dhe mbrojtjes së mjedisit.
Ministri theksoi se zhvillimi i sektorit detar nuk lidhet vetëm me infrastrukturën portuale, por edhe me sigurinë e lundrimit, mbrojtjen e jetës njerëzore dhe aftësinë e institucioneve për të zbatuar standardet ndërkombëtare. Sipas tij, përafrimi i vazhdueshëm i legjislacionit shqiptar me kuadrin ligjor të Bashkimit Evropian dhe konventat ndërkombëtare mbetet një prioritet i Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë.
Karakaçi sqaroi se projektligji nuk synon miratimin e një marrëveshjeje të re ndërkombëtare, por ratifikimin e ndryshimeve të bëra në Memorandumin e Parisit, i cili konsiderohet një nga mekanizmat më të rëndësishëm për kontrollin e anijeve të huaja që operojnë në portet e vendeve pjesëmarrëse.
Ai bëri me dije se ndryshimet kryesore përfshijnë integrimin e Konventës së Hong Kongut të vitit 2009 në dokumentin bazë të memorandumit, shtimin e Certifikatës Ndërkombëtare mbi Inventarin e Materialeve të Rrezikshme dhe përfshirjen e Certifikatës Ndërkombëtare të Gatishmërisë për Riciklimin e Anijeve.
Sipas ministrit, këto ndryshime do t’u japin inspektorëve detarë instrumente shtesë për të verifikuar respektimin e detyrimeve ndërkombëtare, ndërsa do të mundësojnë kontrolle më efektive dhe më të harmonizuara në portet shqiptare.
Karakaçi renditi tre përfitime kryesore të këtij përditësimi: forcimin e sigurisë së lundrimit përmes praktikave bashkëkohore të kontrollit portual, mbrojtjen më të mirë të mjedisit detar dhe të shëndetit publik përmes administrimit të materialeve të rrezikshme, si dhe rritjen e transparencës dhe njëtrajtshmërisë në procedurat e inspektimit.
Ministri nënvizoi gjithashtu se Drejtoria e Përgjithshme Detare do të ndjekë përditësimin e procedurave dhe trajnimin e inspektorëve për zbatimin e plotë të kërkesave të reja.
Në përfundim të fjalës së tij, Karakaçi e cilësoi projektligjin si një hap të rëndësishëm në kuadër të përmbushjes së detyrimeve që Shqipëria ka marrë në procesin e negociatave me Bashkimin Evropian, veçanërisht në Kapitullin 14, “Politika e Transportit”, dhe u bëri thirrje deputetëve ta mbështesin me votë këtë nismë ligjore.










