Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) ka shpallur të enjten vendimet për fraksionin e dosjes “Veliaj” që u nda për t’u gjykuar me procedurën e gjykimit të shkurtuar. Fraksioni, i ndarë nga SPAK, përfshinte tetë persona dhe tri shoqëri tregtare, ndërsa seanca ishte shtyrë një ditë më parë për shkak të kohës shtesë që gjykata i nevojitej për shqyrtimin e prapësimeve me shkrim të palëve.
Biznesmeni Elman Abule u dënua për pastrim parash me 7 vjet burg, dënim që me përfitimin e gjykimit të shkurtuar u reduktua në 4 vjet e 8 muaj burg. SPAK pretendon se përmes kompanisë së tij “Rametal” janë qarkulluar para drejt subjekteve të lidhura me Ajola Xoxën. Shoqëria “Rametal” SHPK u gjobit me 18 milionë lekë, gjobë që u ul në 12 milionë lekë për shkak të aplikimit të procedurës së shkurtuar; kjo shumë duhet të paguhet brenda 6 muajsh.
Gjykata shpalli pafajësinë për biznesmenin Fatmir Bektashi dhe shoqërinë “Kontakt” SHPK. Ish-deputetja Klotilda Bushka u gjobit me 300 mijë lekë, shifër që me gjykimin e shkurtuar u reduktua në 200 mijë lekë. Frosina Bollo u dënua me 1 vit burg, i reduktuar në 8 muaj me gjykim të shkurtuar; ky dënim u konvertua në 16 muaj shërbim prove. Organizata joqeveritare “Frobulos” u dënua me 500 mijë lekë, shuma që pas reduktimit ra në 333 mijë lekë.
Adela Kondakciu u dënua me 7 vite burg, të cilat me gjykim të shkurtuar u reduktuan në 4 vite e 8 muaj, por gjykata vendosi përjashtimin e saj nga vuajtja e dënimit për shkak të statusit si bashkëpunëtor i drejtësisë. Flutur Xhani u shpall e pafajshme. Fatjon Baci u dënua fillimisht me 5 vite burg, i reduktuar në 3 vite e 4 muaj me gjykim të shkurtuar; gjykata vendosi pezullimin e dënimit me burg dhe konvertimin e tij në 5 vite shërbim prove.
