Komisionerja europiane për Zgjerimin, Marta Kos, e ka lidhur të ardhmen ekonomike të Shqipërisë dhe ardhjen e investimeve me zbatimin e reformave të nevojshme në rrugën drejt Bashkimit Europian.
Gjatë fjalës së saj në Këshillin Kombëtar të Integrimit Europian, Kos theksoi se reformat duhet të jenë hapi i parë, ndërsa investimet do të pasojnë, duke krijuar mundësi për rritjen e begatisë dhe përmirësimin e cilësisë së jetës së qytetarëve.
Ajo nënvizoi gjithashtu rëndësinë e transparencës dhe komunikimit gjatë procesit të integrimit, duke sugjeruar që në vizitën e ardhshme në Shqipëri të organizohet një takim me përfaqësues të biznesit.
Komisionerja foli edhe për paragjykimet ndaj Shqipërisë, duke theksuar se kapërcimi i tyre kërkon angazhim të përbashkët. Në këtë kontekst, ajo ndau edhe një përvojë personale nga pushimet në vendin tonë, ku kishte udhëtuar me bashkëshortin drejt Thethit.
“Begatia e Shqipërisë është e mundur. Së pari duhet të kryhen reformat dhe më pas do të vijnë investimet. Kështu rritet begatia dhe përmirësohet cilësia e jetës. Sa më pranë vijës së finishit të jeni, aq më pak do të keni nevojë për mua”, u shpreh Kos.
Ajo propozoi që në një vizitë të ardhshme të zhvillojë një takim me përfaqësuesit e biznesit, duke vënë në dukje se transparenca dhe komunikimi janë thelbësorë për këtë proces.
“Ka shumë paragjykime dhe ne të gjithë duhet të punojmë për këtë çështje. Një koment personal nga ana ime: do të thoja se kam kaluar pushimet në Shqipëri së bashku me bashkëshortin. Nuk i kam thënë askujt, por kemi përshkuar 4 mijë kilometra me makinë, nga këtu deri në Theth. U ngjitëm atje, kemi pirë çaj dhe ju keni çajra fantastikë”, tregoi komisionerja.
Në fund, Kos vlerësoi mikpritjen dhe bukuritë natyrore të Shqipërisë, duke theksuar se pavarësisht dallimeve në mendime, është e rëndësishme që të gjithë të ndjekin të njëjtin objektiv.
“Nuk kam takuar njerëz kaq të mirë dhe nuk kam vizituar vende kaq të bukura. E rëndësishme është që të ndjekim objektivin. E di që nuk do të kemi të gjithë të njëjtat mendime dhe mund të mos biem dakord për të njëjtat gjëra”, përfundoi Marta Kos.

