E enjte, 26 nëntor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK PUBLIK
Studentët krijojnë partinë e re “Të Bashkuar për Shqipërinë”
Lajme

Studentët krijojnë partinë e re “Të Bashkuar për Shqipërinë”

Një grup studentësh dhe të rinjsh kanë njoftuar krijimin e një force të re politike me emrin “Të Bashkuar për Shqipërinë”. Nismës u janë bashkuar edhe profesionistë nga fusha të ndryshme, pedagogë dhe përfaqësues të diasporës, ndërsa organizatorët bëjnë të ditur se kanë nisur procedurat për mbledhjen e firmave të nevojshme.

Në një deklaratë për mediat, një studente që përfaqëson grupin u shpreh se kjo parti synon të krijojë një alternativë politike për qytetarët që kërkojnë një shtet të bazuar te drejtësia, meritokracia, përgjegjësia dhe transparenca.

“Për 180 ditë, mijëra të rinj dhe qytetarë kanë treguar se Shqipëria është e bashkuar. Kjo parti do t’u ofrojë atyre një rrugë kushtetuese drejt vendosjes së shtetit të së drejtës”, deklaroi ajo.

Përfaqësuesja e nismës theksoi se programi i forcës së re politike nuk do të hartohet në zyra të mbyllura, por përmes komunikimit të drejtpërdrejtë me qytetarët në të gjithë vendin.

Sipas saj, çdo angazhim politik do të shoqërohet me objektiva të matshëm, përgjegjësi konkrete, kosto dhe afate kohore. Ajo premtoi gjithashtu se rezultatet do të bëhen publike dhe se çdo dështim për përmbushjen e objektivave do të shoqërohet me shpjegime dhe masa korrigjuese.

“Ne nuk bëjmë premtime, vendosim standarde. Çdo angazhim i yni do të ketë një objektiv të matshëm, përgjegjësi me emër, kosto dhe afat. Do ta masim publikisht dhe do ta kontrollojmë. Kur nuk e arrijmë, do ta shpjegojmë dhe do të tregojmë si do ta korrigjojmë”, u shpreh studentja.

Nisin mbledhjen e firmave, paralajmërohen takime në të gjithë vendin

Organizatorët bëjnë të ditur se në ditët në vijim përfaqësuesit e partisë do të zhvillojnë takime me qytetarët në qytete dhe fshatra, ku do të prezantojnë projektin politik dhe do të vijojnë mbledhjen e firmave.

Nisma synon të përfshijë jo vetëm studentë dhe të rinj, por edhe individë me përvojë profesionale në fusha të ndryshme, të cilët dëshirojnë të angazhohen në jetën politike.

Përfaqësuesit e “Të Bashkuar për Shqipërinë” paralajmëruan dalje të tjera publike dhe mediatike, për të bërë të njohura detajet e organizimit, programit dhe hapave të mëtejshëm drejt krijimit të subjektit politik.

Në fund të deklaratës, studentja iu drejtua qytetarëve me një thirrje për t’iu bashkuar nismës: “Ftojmë çdo shqiptar të bashkohet. Të gjithë të bashkuar për Shqipërinë”.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.