Dosja “Veliaj”/ Abule përfundon në burg, Bektashi shpallet i pafajshëm
Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka shpallur vendimin për fraksionin e dosjes “Veliaj”, i cili u nda për t’u gjykuar me procedurën e gjykimit të shkurtuar. Në këtë çështje, biznesmeni Elman Abule u dënua me 4 vite e 8 muaj burg, ndërsa biznesmeni Fatmir Bektashi u shpall i pafajshëm.
Abule u shpall fajtor për pastrim parash më shumë se një herë, në bashkëpunim. Gjykata i caktoi fillimisht 7 vite burgim, por për shkak të gjykimit të shkurtuar masa u reduktua në 4 vite e 8 muaj.
Sipas akuzës së SPAK, përmes kompanisë “Rametal” janë qarkulluar para drejt subjekteve të lidhura me Ajola Xoxën. Për këtë arsye, edhe shoqëria “Rametal” SHPK u dënua me gjobë prej 18 milionë lekësh, e cila pas reduktimit për shkak të gjykimit të shkurtuar shkoi në 12 milionë lekë. Shuma duhet të paguhet brenda gjashtë muajve.
Ndërkohë, Fatmir Bektashi dhe shoqëria “Kontakt” SHPK u shpallën të pafajshëm. Gjykata vendosi gjithashtu heqjen e masës së sigurisë “detyrim paraqitje” për Bektashin.
Në të njëjtin proces, ish-deputetja socialiste Klotilda Bushka u shpall fajtore dhe u dënua me 200 mijë lekë gjobë.
Vendimi për tetë të pandehurit dhe shoqëritë
Përveç Abules dhe Bektashit, GJKKO dha vendimin edhe për gjashtë të pandehurit e tjerë:
- Ina Goxhaj u shpall fajtore për korrupsion aktiv dhe pastrim parash. U dënua me 7 vite burg, që me gjykim të shkurtuar u reduktuan në 4 vite e 8 muaj. Ekzekutimi i dënimit u pezullua dhe ajo kalon në shërbim prove për pesë vite.
- Adela Kondakçiu u shpall fajtore për pastrim parash dhe u dënua me 7 vite burg, të reduktuara në 4 vite e 8 muaj. Gjykata vendosi përjashtimin e saj nga vuajtja e dënimit si bashkëpunëtore e drejtësisë.
- Fatjon Baçi u shpall fajtor dhe u dënua me 5 vite burg, të reduktuara në 3 vite e 4 muaj. Ekzekutimi i dënimit u pezullua dhe ai kalon në shërbim prove për katër vite.
- Flutura Xhani u shpall e pafajshme.
- Frosina Bollo u shpall fajtore dhe u dënua me 1 vit burg, të reduktuar në 8 muaj. Dënimi u konvertua në shërbim prove.
- Klotilda Bushka u dënua me 200 mijë lekë gjobë.
Sa u përket subjekteve tregtare, “Rametal” SHPK u dënua me 12 milionë lekë gjobë pas reduktimit, “Kontakt” SHPK u shpall e pafajshme, ndërsa OJF-ja “Frobolus” u dënua me 500 mijë lekë gjobë, të reduktuara në rreth 340 mijë lekë.
SPAK kishte kërkuar dënime të ndryshme
Në pretencën e tij, SPAK kishte kërkuar 7 vite burg për Elman Abulen, 1 vit burg për Fatmir Bektashin, 7 vite për Ina Goxhajn, 600 mijë lekë gjobë për Klotilda Bushkën, 7 vite për Adela Kondakçiun, 5 vite për Fatjon Baçin, 60 mijë lekë gjobë për Flutura Xhanin dhe 1 vit burg për Frosina Bollon.
Për shoqëritë tregtare, Prokuroria kishte kërkuar gjobë prej 18 milionë lekësh për “Rametal”, 800 mijë lekë për “Kontakt” dhe 500 mijë lekë për OJF-në “Frobolus”.
Ky fraksion i dosjes së SPAK ndaj kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, përfshinte tetë persona dhe tri shoqëri tregtare. Vendimi i sotëm përcakton përgjegjësinë penale të të pandehurve dhe subjekteve të përfshira në këtë pjesë të çështjes.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



