Një grup studentësh, së bashku me të rinj atdhetarë, profesionistë nga fusha të ndryshme dhe përfaqësues të diasporës, kanë njoftuar themelimin e një partie të re politike me emrin “Të Bashkuar për Shqipërinë”.
Në një deklaratë për mediat, një prej studenteve që përfaqëson grupin bëri me dije se nisma është e hapur për të gjithë ata që besojnë se Shqipëria mund të qeveriset mbi bazën e drejtësisë, meritokracisë, përgjegjësisë dhe transparencës.
“Për 180 ditë, mijëra të rinj dhe qytetarë kanë treguar se Shqipëria është e bashkuar. Kjo parti do t’u ofrojë atyre një rrugë kushtetuese drejt vendosjes së shtetit të së drejtës”, u shpreh studentja.
Ajo theksoi se partia nuk do të mbështetet në një program të hartuar pas dyerve të mbyllura, por synon të jetë pranë qytetarëve në qytete dhe fshatra. Sipas saj, angazhimet e forcës së re politike do të shoqërohen me objektiva të matshëm, përgjegjësi, kosto dhe afate konkrete.
“Ne nuk bëjmë premtime, vendosim standarde. Çdo angazhim i yni do të ketë një objektiv të matshëm, përgjegjësi me emër, kosto dhe afat. Do ta masim publikisht dhe do ta kontrollojmë. Kur nuk e arrijmë, do ta shpjegojmë dhe do të tregojmë si do ta korrigjojmë”, deklaroi ajo.
Në vijim, studentja u bëri thirrje qytetarëve që t’i bashkohen nismës, duke theksuar se besimi duhet fituar përmes rezultateve konkrete.
Ajo bëri të ditur se në këtë parti janë përfshirë edhe pedagogë dhe individë me përvojë në fusha të ndryshme, ndërsa nisma është marrë nga një grup studentësh. Sipas saj, ka nisur edhe mbledhja e firmave për krijimin e subjektit politik.
Në ditët në vijim, përfaqësuesit e partisë së re pritet të zhvillojnë takime me qytetarët në qytete dhe fshatra, ku do të prezantojnë nismën dhe do të mbledhin firmat e nevojshme. Ata paralajmëruan gjithashtu dalje të tjera publike dhe mediatike për të bërë të njohura më shumë detaje rreth organizimit dhe hapave të ardhshëm.
“Ftojmë çdo shqiptar të bashkohet. Të gjithë të bashkuar për Shqipërinë”, ishte mesazhi përmbyllës i deklaratës.












