AKU inspekton 160 subjekte në të gjithë vendin/ Tetë gjoba me vlerë 1.46 mln lekë, mes tyre kopshti i fëmijëve dhe një spital që nuk “korigjuan” gabimet, bllokohet edhe 2 ton mish Në përmbyllje të ditës së dytë të Konferencës Ndërkombëtare të Investimeve BE–Ballkani Perëndimor, me temë “A New Investment Frontier”, kryeministri Edi Rama mbajti fjalën e tij, ku u ndal te rrugëtimi i integrimit europian të rajonit, rezultatet ekonomike të arritura gjatë dekadës së fundit dhe potenciali i Ballkanit Perëndimor për t’u kthyer në një hapësirë të rëndësishme investimesh.
Kreu i qeverisë tha ekonomia shqiptare është trefishuar në 12 vjet, nga 10 në 30 miliardë euro, dhe se synimi është që ajo të dyfishohet sërish deri në vitin 2040. Ai tha gjithashtu se buxheti i shtetit arrin për herë të parë në 10 miliardë euro.
“Le ta nis duke thënë se sa larg kemi ardhur, sepse edhe unë e përshkova të gjithë rrugën, nga epoka e akullit deri te temperaturat e dhomës, dhe e kam të vështirë të besoj se ku e nisëm.
Udhëheqësit u ulën për herë të parë në histori, në Berlin, me ftesë të Angela Merkel. Asokohe ishte historia që po ndodhte, 12 vite më parë.
Ajo e nisi fjalën duke thënë ‘Mirë se erdhët në Berlin. Ju ende nuk jeni anëtarë të BE-së, por jeni europianë’. Kështu nisi Procesi i Berlinit dhe aty, një dekadë më vonë, nisi Plani i Ri i Rritjes.
Pas 12 vitesh, a nuk ka ardhur koha të mos shihemi më vetëm përmes lentes së zgjerimit? Jemi një destinacion i ri për investime, jemi një kënd i rritjes së Europës. Shqipëria ishte një ekonomi prej 10 miliardë eurosh, sot është 30 miliardë euro. Ambicia jonë është që deri në vitin 2040 ta dyfishojmë sërish.
Me atë që AI-ja mund t’i shtojë potencialit tonë, kjo është më shumë se e mundur. Gjendemi në pikëtakimin mes Adriatikut dhe Jonit, përballë Italisë. Jemi një portë hyrëse për Ballkanin Perëndimor, jemi aleatë në NATO dhe jemi në rrugën drejt BE-së”, tha Rama.
Top Channel