Rama: Shqipëria do të marrë më shumë mbështetje nga Plani i Rritjes, kemi bërë detyrat!
Kryeministri Edi Rama ka deklaruar se Shqipëria do të përfitojë më shumë mbështetje nga Plani i Rritjes i Bashkimit Europian për Ballkanin Perëndimor, duke theksuar se vendi ka përmbushur detyrimet dhe reformat e kërkuara.
Në përmbyllje të ditës së dytë të Konferencës Ndërkombëtare të Investimeve BE–Ballkani Perëndimor, me temë “A New Investment Frontier”, Rama u shpreh se Shqipëria nuk po kërkon më një akt besimi, por po paraqet bilancin e punës së bërë.
Kreu i qeverisë theksoi se buxheti i vendit për herë të parë arrin në 10 miliardë euro, ndërsa nënvizoi edhe mbështetjen për bizneset e vogla, të cilat përfitojnë nga tatimi zero.
Ai e cilësoi këtë një avantazh për Shqipërinë, duke pretenduar se është i vetmi vend në rajon dhe Europë që aplikon tatim zero për bizneset e vogla.
Gjatë fjalës së tij, Rama përmendi edhe ndryshimet në Tiranë dhe ligjin e ri për strehimin, të cilin e konsideroi një tjetër tregues të progresit të vendit.
“Ma lini që t’jua them pa hyrë në detaje. Shqipëria do të marrë më shumë mbështetje nga Plani i Rritjes. Jo si dhuratë, por sepse kemi bërë detyrat e shtëpisë, e meritojmë. Buxheti për herë të parë arrin në 10 miliardë euro. Ai vjen me një mbështetje për bizneset e vogla, në të vetmin vend në rajon dhe Europë që ka tatim zero për bizneset e vogla. Nuk po kërkojmë më një akt besimi, por po tregojmë bilancin”, deklaroi Rama.
/vizionplus.tv




