Nga Ukraina te Kosova: Europa nuk mëson nga gabimet e saj strategjike

26 Nëntor 2026 | 17:51

Kur mungesa e vizionit strategjik zëvendësohet nga kalkulimet politike, Europa rrezikon të prodhojë të njëjtat pasiguri që sot pretendon se kërkon t’i korrigjojë.

Nga Esmeralda Mulaj

Deklarata e kancelarit gjerman Friedrich Merz se mospranimi i Ukrainës në NATO në vitin 2008 ishte një gabim, nuk është thjesht një reflektim mbi të kaluarën. Është një pranim politik se Europa, në një moment vendimtar, nuk arriti të lexonte pasojat afatgjata të vendimeve të saj.

Në samitin e Bukureshtit, George W. Bush kërkoi një perspektivë të qartë anëtarësimi për Ukrainën dhe Gjeorgjinë. Franca dhe Gjermania kundërshtuan dhënien e Planit të Veprimit për Anëtarësim. Kompromisi i atëhershëm ishte një premtim i paqartë se të dyja vendet do të bëheshin një ditë anëtare të NATO-s, pa një kalendar dhe pa garanci konkrete.

Sot, pas pushtimit rus të Ukrainës, Merz e quan këtë vendim gabim. Ai shprehet se anëtarësimi i Ukrainës në NATO mund ta kishte parandaluar luftën.

Por pyetja që shtrohet sot është: A po bën Europa të njëjtin gabim me Kosovën?

Përgjigjja që sugjeron politika europiane ndaj Kosovës është shqetësuese.

Kosova vazhdon të mbahet në një pozicion të papërcaktuar strategjik. Pesë vende të Bashkimit Europian nuk e njohin pavarësinë e saj: Spanja, Greqia, Rumania, Sllovakia dhe Qiproja. Katër prej tyre janë edhe anëtare të NATO-s. Kjo mungesë konsensusi nuk është vetëm një pengesë diplomatike. Ajo dobëson aftësinë e Europës për të ndërtuar një politikë të përbashkët ndaj Ballkanit Perëndimor.

Ndërkohë, Kosova nuk përbën një precedent që mund të justifikojë frikën e disa vendeve europiane. Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë, në opinionin këshillimor të 22 korrikut 2010, arriti në përfundimin se shpallja e pavarësisë së Kosovës nuk kishte shkelur të drejtën ndërkombëtare.

Dhe këtu qëndron një kontradiktë e madhe politike: NATO ndërhyri ushtarakisht në vitin 1999 për t’i dhënë fund katastrofës humanitare në Kosovë, ndërsa një pjesë e vendeve të së njëjtës Aleancë vazhdojnë ta mbajnë atë jashtë një konsensusi të plotë politik dhe diplomatik.

Kosova, peng i kalkulimeve europiane

Europa duket se po e trajton Kosovën si një element negociues në marrëdhënien e saj me Serbinë, në vend që ta shohë si një shtet sovran dhe partner strategjik në Ballkanin Perëndimor.

Beogradi vazhdon të jetë një faktor destabilizues në rajon, mban lidhje të ngushta politike dhe ekonomike me Moskën dhe nuk e ka shkëputur orientimin e tij strategjik nga Rusia. Megjithatë, në shumë raste, Brukseli vazhdon të sillet sikur stabiliteti i rajonit varet kryesisht nga ruajtja e Serbisë brenda një ekuilibri diplomatik, edhe kur ky ekuilibër bëhet në kurriz të Kosovës.

Ky është një gabim strategjik. Në vend që të shpërblejë sjelljen destabilizuese me hapësirë të re politike, Europa duhet të ndërtojë një marrëdhënie të bazuar në parime të njëjta për të gjitha palët: sovranitet, integritet territorial, sundim të ligjit dhe respektim të marrëveshjeve.

Europa e ka provuar një herë koston e politikës së ekuilibrave me Rusinë

Pas aneksimit të Krimesë në vitin 2014, reagimi europian nuk arriti të ndryshonte llogaritjet strategjike të Kremlinit. Ndërkohë, varësia energjetike dhe interesat ekonomike vazhduan të zinin një vend të rëndësishëm në marrëdhëniet me Moskën.

Europa nuk arriti të ndërtonte një politikë parandaluese që do ta bindte Kremlinin se zgjerimi territorial me forcë kishte një kosto të papranueshme.

Sot, në Ballkan, rreziku është që të përsëritet një logjikë e ngjashme: Kosova të trajtohet si një monedhë shkëmbimi në marrëdhëniet me Serbinë, me shpresën se Beogradi do të largohet gradualisht nga orbita ruse.

Deklarata e Merz është një moment reflektimi për Europën. Por reflektimi nuk mjafton nëse nuk shoqërohet me ndryshim të politikës.

Në vitin 2008, Ukraina mbeti në një zonë gri sigurie, mes premtimit për anëtarësim dhe mungesës së garancive reale. Sot, Kosova rrezikon të mbetet në një zonë të ngjashme gri politike: e mbështetur në parim, por e bllokuar në praktikë; e konsideruar partnere, por pa një perspektivë të qartë integrimi; e kërkuar të bëjë kompromise, por pa marrë garanci të barabarta.

Natyrisht, Kosova dhe Ukraina nuk janë raste identike. Por mësimi strategjik është i njëjtë: paqartësia e zgjatur nuk prodhon domosdoshmërisht paqe. Ajo mund të krijojë vakum politik, pasiguri dhe mundësi për aktorët që duan ta dobësojnë rendin europian.

Nëse Friedrich Merz sot pranon se Europa gaboi me Ukrainën në vitin 2008, atëherë pyetja është a duhet që të presim që nesër të ketë një tjetër kancelar europian që do të pranojë se Europa gaboi edhe me Kosovën.

Sepse një Europë që nuk arrin të integrojë partnerët e saj, që i lë në pritje të pafundme dhe që e trajton sovranitetin si çështje negociatash, nuk po ndërton siguri. Po administron pasigurinë.

Dhe këtë boshllëk strategjik nuk do ta lërë bosh Rusia.

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Meksika kërkon marrëveshje me SHBA-në për përdorimin e hapësirës ajrore nga raketat e SpaceX

Meksika po kërkon bisedime zyrtare me autoritetet amerikane për të përcaktuar kushtet dhe lejet për përdorimin e hapësirës ajrore meksikane gjatë lëshimit të raketave të...
17:37 | 26/11/2026

Eisenkot arrin marrëveshje koalicioni me partinë Demokratike në Izrael, vijojnë negociatat për formimin e qeverisë

Gadi Eisenkot, kreu i partisë Yashar, ka arritur një marrëveshje koalicioni me kryetarin e partisë Demokratike, Yair Golan, në kuadër të përpjekjeve për formimin e...
17:34 | 26/11/2026

Trump zbulon bisedën me Putinin: I kërkova të mos bëjë agresion ndaj Evropës

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka deklaruar se gjatë bisedimeve me presidentin rus, Vladimir Putin, në Kinë javën e kaluar, i ka kërkuar...
17:16 | 26/11/2026