Kryeministri Edi Rama, gjatë fjalës së tij në Forumin e Investimeve BE-Ballkani Perëndimor që po mbahet në Tiranë, deklaroi se ekonomia shqiptare është trefishuar gjatë 12 viteve të fundit, duke kaluar nga 10 në 30 miliardë euro. Rama theksoi se Shqipëria duhet të shihet jo vetëm në kuadër të procesit të zgjerimit të BE, por edhe si një destinacion i ri për investimet. Sipas tij, objektivi është që ekonomia e vendit të dyfishohet sërish deri në vitin 2040.
“Pas 12 vitesh, a nuk ka ardhur koha të mos shihemi më vetëm përmes lentes së zgjerimit? Jemi një destinacion i ri për investime, jemi një kënd i rritjes së Europës. Shqipëria ishte një ekonomi prej 10 miliardë eurosh, sot është 30 miliardë euro. Ambicia jonë është që deri në vitin 2040 ta dyfishojmë sërish”, u shpreh Rama. Kreu i qeverisë nënvizoi rëndësinë e pozicionit gjeografik të Shqipërisë, potencialin e inteligjencës artificiale, si dhe avantazhet që ofron vendi në sektorin e energjisë së rinovueshme.
“Me atë që AI-ja mund t’i shtojë potencialit tonë, kjo është më shumë se e mundur. Gjendemi në pikëtakimin mes Adriatikut dhe Jonit, përballë Italisë. Jemi një portë hyrëse për Ballkanin Perëndimor, jemi aleatë në NATO dhe jemi në rrugën drejt BE-së”, deklaroi kryeministri. Duke u ndalur te procesi i integrimit europian dhe mbështetja financiare nga Bashkimi Europian, Rama tha se Shqipëria do të përfitojë më shumë nga Plani i Rritjes, ndërsa bëri të ditur se buxheti i shtetit arrin për herë të parë në 10 miliardë euro.
“Shqipëria do të marrë më shumë mbështetje nga Plani i ri i Rritjes, sepse kemi bërë detyrat tona të shtëpisë dhe e kemi merituar notën. Për herë të parë, buxheti arrin në 10 miliardë euro”, tha Rama. Kryeministri iu referua gjithashtu transformimit të Tiranës ndër vite, duke e cilësuar atë si një dëshmi të përparimit të vendit. Në përmbyllje të fjalës së tij, Rama u bëri thirrje investitorëve që ta vlerësojnë Shqipërinë mbi bazën e rezultateve të arritura, duke theksuar nevojën e Europës për partneritete të reja ekonomike dhe industriale.
“S’po kërkojmë më një akt besimi. Po kërkojmë të shihni bilancin. Europa është në një moment vendimtar. Transformimi i ekonomisë, energjisë dhe kapacitetit të saj industrial do të kërkojë horizonte, kapacitete dhe partnerë të rinj”, përfundoi Rama.
