“2027 mund të jetë viti i Shqipërisë për në BE”, Marta Kos: Nëse qeveria vijon të qëndrojë në rrugën e duhur për reformat Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku gjatë Këshillit Kombëtar të Integrimit, ku ishte e pranishme edhe komisionerja Marta Kos, ka deklaruar se i kanë dërguar let9r Komisionit Europian, sipas saj për shkeljet e procesit të Stabilizim-Asociimit.
“Prandaj e nderuar komisionere, unë e shoh me shumë rëndësi vizitën tuaj këtu dhe faktin që jeni ulur me të gjithë anëtarët e këtij këshilli. Cilat janë disa nga angazhimet e marra nga Shqipëria në negociata dhe si janë zbatuar ato ne praktikë? Jemi angazhuar që të forcojmë institucionet demokratike, kontrollin parlamentar, por çfarë ka konstatuar Komisioni Europian?
Dobësimin e kontrollit parlamentar, refuzimin sistematik të komisioneve hetimore, moszbatimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese dhe politizimin e emërimeve në institucionet e pavarura. Jemi angazhuar që të garantojmë pavarësinë e drejtësisë, luftën kundër korrupsionit dhe barazinë para ligjit. Çfarë konstaton Komisioni Evropian? Ka përpjekje për ndikim politik mbi drejtësinë, duke përfshirë dhe SPAK-un, drejtuesin e të cilit ne kemi sot këtu për herë të parë në Këshillin Kombëtar të Integrimit. Ka shqetësime për barazinë para ligjit pas refuzimit të autorizimit për arrestimin e ish-zëvendëskryeministres.
Por rasti i ish-zëvendëskryeministres shkon përtej këtyre shqetësimeve. Në vlerësimin tonë pushteti politik dhe jo ligji po kufizojnë veprimtarinë e SPAK-ut. Me akuza të reja për korrupsion, për fshehje pasurie, për pastrim parash, dosja e ish-zëvendëskryeministres është dërguar për gjykim pa kërkuar autorizimin e këtij parlamenti dhe pushteti i saj mbetet i paprekur. Ne jemi angazhuar që duhet të garantojmë konkurrencën e lirë dhe duhet të respektojmë marrëveshjen e stabilizim asociimit që është e shenjtë dhe është gur themeli për shtetin shqiptar. Por në parlament janë duke u diskutuar dhe miratuar ligje që i japin pa garë sektorë të tërë të ekonomisë. Prodhimi i armëve, shëndetësia, teknologjia e informacionit. Këto ligje e cenojnë MSA-në, përqendrojnë fondet publike në pak duar dhe përjashtojnë nga konkurrenca edhe kapitalin evropian që ne duam kaq shumë këtu në Shqipëri. E nderuar komisionere, nuk është një praktikë e re. Ka ndodhur në rastin e portit të Durrësit, në aeroportin e Vlorës që sot janë edhe nën hetim për korrupsion.
Me kërkesë të Komisionit Evropian qeveria shqiptare është angazhuar që të shfuqizojë ligjin e investimeve strategjike, por edhe në projektin e ri të paraqitur për konsultim, po të njëjtët mekanizma favorizojnë korrupsionin dhe e cenojnë konkurrencën. Të nderuar anëtarë të këtij këshilli, sikundër Roma nuk është ndërtuar brenda një dite, edhe demokracia në Shqipëri nuk është bërë brenda një dite. Por për vite me radhë kanë ndodhur e janë hequr elemente të rëndësishëm që kanë zhbërë në gjykimin tonë atë demokraci të brishtë që ishte ndërtuar. Jo perfekte, por në rrugë e sipër. Për vite me radhë me kolegët e mi i kemi ngritur këto shqetësime, kemi dërguar letra në Komisioni Evropian edhe tek ju për shkeljen e MSA-së, për tenderat pa garë, për përqendrimin ekonomik dhe ju sot po vini në Tiranë në një moment të veçantë për Shqipërinë. Prej 170 ditësh ka një protestë jashtë, një protestë të cilës tashmë i janë bashkuar edhe studentët.
Protesta po kërkon më shumë Evropë. Njerëzit kërkojnë institucione të forta, kërkojnë luftë ndaj korrupsionit, kërkojnë sundimin e ligjit. Miratimi i ligjeve me nxitim, pa konsultim, pa debat gjithëpërfshirës, pa analizë të plotë nuk e sjell ndryshimin që shqiptarët sot po presin dhe atë ndryshim që e kërkon me të vërtetë procesi i integrimit që ne duhet patjetër që ta zbatojmë. Për ne kjo është një kërkesë për më shumë Evropë sepse pavarësisht ecurisë së negociatave pas çdo palë zgjedhje ne kemi pasur më pak Evropë. Kemi pasur më shumë largime të shqiptarëve. Kemi pasur më pak demokraci dhe më shumë arbitraritet, më pak shtet të së drejtës dhe më shumë kontroll politik, më pak barazi para ligjit dhe më shumë mbrojtje politike të korrupsionit.
Prandaj shqetësimi ynë por edhe shqetësimi i një pjese të dërmuese të shqiptarëve sot është se procesi i integrimit nuk mund dhe nuk duhet të përdoret si fasadë. Partia Demokratike ka dëshmuar me fakte se anëtarësimi në BE është një prioritet i panegociueshëm për ne. Objektivi ynë nuk është mbyllja e kapitujve në letër, nuk është as vetëm miratimi i ligjeve, por është anëtarësimi. Janë standardet evropiane, janë institucionet e forta, janë zbatimi i ligjit. Për ne në momentin e vendimmarrjes vendet anëtare nuk do gjykojnë mbi Shqipërinë e konferencave për shtyp por do gjykojnë mbi Shqipërinë reale. Shqiptarët kanë nevojë për Bashkimin Evropian sepse duan patjetër që t’i garantohen standardet e anëtarësimit dhe mos të legjitimohet as fasada e qeverisë.
E nderuar komisionere, ne nuk kërkojmë nga ju që të fitoni zgjedhjet për asnjë parti politike, as të hiqni një parti e ta zëvendësoni atë me një tjetër. Sot shqiptarët po kërkojnë një fushë të barabartë loje, një fushë të barabartë loje në politikë, një fushë të barabartë loje edhe në ekonomi, ku rregullat zgjedhore dhe ndryshimi territorial të mos bëhen në mënyrë të njëanshme. 2013-ta ka qenë hera e fundit që është bërë një reformë zgjedhore gjithëpërfshirëse nga ky parlament. Ne kërkojmë sot që shteti të mos përdoret si makinë elektorale, ku fondet dhe pasuritë publike të mos shpërndahen pa garë, po t’i jepen më të mirit. Ne jemi të bindur se këto standarde nuk mund të përmbushen me këtë mënyrë qeverisje, por kjo është detyra jonë e do punojmë çdo ditë.
Prandaj sot besoj kushdo kërkon me zë të fortë, po edhe për ju, edhe në drejtim tuaj, për një proces integrimi real reformash, një proces për gjithë shoqërinë, një proces për shqiptarët, një proces për të rinjtë, për biznesin, për fermerët. Ne kemi dëshmuar se besojmë te forca e Komisionit Evropian për të forcuar zbatimin e ligjit por për të frenuar edhe atë që tokë e vilë e quan diktati i shumicës. Vetëm kështu mund të ndërtojmë një Shqipëri që gjen pranim të plotë në BE. Vetëm kështu mund ta ndërtojmë Evropën këtu. Shumë faleminderit për këtë vizitë këtu. Shumë faleminderit edhe për nisjen e një dialogu dhe unë uroj që veshin tuaj ta ketë jo vetëm një anë politike, po ta ketë gjithë shoqëria shqiptare, ta ketë së pari parlamenti shqiptar me të gjitha forcat politike, ta kenë qytetarët shqiptarë se ky proces në fund të ditës është për shqiptarët”, tha Tabaku.
Top Channel