“Shqipëria do të marrë më shumë mbështetje nga Plani i Rritjes së BE-së”, Rama: Jo si favor, por si meritë
Kryeministri Edi Rama mbajti fjalën në ditën e dytë të Konferencës Ndërkombëtare të Investimeve BE-Ballkani Perëndimor në Tiranë, ku prezantoi potencialin ekonomik të Shqipërisë dhe mundësitë që vendi ofron për investime strategjike në sektorët e energjisë, infrastrukturës dhe teknologjisë digjitale.
Rama deklaroi se Shqipëria do të përfitojë më shumë fonde nga Plani i Rritjes së BE-së, jo si rezultat i favorizimeve, por për shkak të përmbushjes së reformave dhe avancimit të vendit. Ai nënvizoi se ekonomia shqiptare është rritur ndjeshëm gjatë dekadës së fundit, ndërsa ftoi investitorët të shohin mundësitë që ofron vendi në sektorët e energjisë, infrastrukturës dhe ekonomisë digjitale.
Në fjalën e tij, Rama theksoi progresin ekonomik të vendit gjatë viteve të fundit, duke nënvizuar se Shqipëria po hyn në një fazë të re zhvillimi dhe po fiton gjithnjë e më shumë besimin e partnerëve europianë.
Kreu i qeverisë deklaroi se për herë të parë buxheti i shtetit arrin në 10 miliardë euro, një shumë që sipas tij një dekadë më parë përfaqësonte të gjithë ekonominë shqiptare.
“Kemi diellin, erën dhe ujin për të prodhuar shumë më tepër. Këtë vit progresi ynë u pranua në çdo front, me institucione më të forta dhe një horizont më solid për të ardhmen e Shqipërisë.Jam besimplotë se Marta do t’i ndajë me ju, por më lini të them se Shqipëria do të marrë më shumë mbështetje nga Plani i Ri i Rritjes, jo për mëshirë, por prej avancimit dhe rritjes. Buxheti, për herë të parë, shkon në 10 miliardë euro. Saç vite më parë ishte e gjithë ekonomia jonë. Jemi ndoshta i vetmi vend në Evropë që ka tatim zero për bizneset e vogla. Keni dëgjuar për arkitektët e mëdhenj që po ndërtojnë këtu, por ndoshta nuk keni dëgjuar për strehimin e përballueshëm.Nuk po kërkojmë më një akt besimi, por po japim bilancet.”
Rama tha se Evropa ndodhet në një moment vendimtar për transformimin e ekonomisë së saj dhe se Ballkani Perëndimor duhet të konsiderohet pjesë e zgjidhjes për sfidat ekonomike dhe energjetike të kontinentit.
“Evropa është në një moment vendimtar. Implementimi i burimeve tona në zinxhirin e Evropës është një lëvizje që Evropa duhet ta bëjë edhe për të mirën e saj.Nuk mund ta lësh jashtë Ballkanin Perëndimor dhe kjo është e ditur. Suksesin do ta matim me projekte që ndërtohen, biznese që rriten dhe vende pune që zgjasin.”
Kryeministri veçoi energjinë dhe infrastrukturën digjitale si elementët kryesorë të konkurrueshmërisë ekonomike në të ardhmen, duke kërkuar më shumë investime në këto sektorë.
“Energjia dhe infrastruktura digjitale janë themelet e konkurrueshmërisë. Sistemet e ndërlidhura vlejnë më shumë për të gjithë ne. Shkollat dhe universitetet tona duhet t’i përgjigjen asaj që i kërkohet.”
Rama u ndal edhe te rëndësia e investimit në kapitalin njerëzor, duke theksuar se zhvillimi i aftësive profesionale të të rinjve duhet të jetë pjesë e çdo projekti investimi.
“Keni dëgjuar për një projekt për një ishull dhe një zog shumë të bukur. Një pjesë e atij projekti ka të bëjë me të rinjtë dhe me aftësitë.Këtë do t’i kërkojmë çdo investitori, të investojë edhe te njerëzit tanë.”
Në fund të fjalës së tij, kryeministri u bëri thirrje investitorëve europianë të shohin përtej stereotipeve për rajonin dhe të konsiderojnë Ballkanin Perëndimor si një mundësi konkrete zhvillimi.
“Thirrja ime për investuesit është të shihet përtej perceptimeve të vjetruara. Ballkani është e tashmja për Evropën.Uroj që shiu të sjellë bereqet për të gjithë ju dhe kthehuni për diellin shqiptar, sepse kemi shumë”, përfundoi Rama.
Konferenca Ndërkombëtare e Investimeve BE-Ballkani Perëndimor mblodhi në Tiranë përfaqësues të institucioneve europiane, qeverive të rajonit, organizatave ndërkombëtare financiare dhe komunitetit të biznesit, me fokus nxitjen e investimeve dhe forcimin e bashkëpunimit ekonomik në rajon.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



