Britania e Madhe ka nisur kontaktin me rreth 100,000 ish-pjesëtarë të Forcave të Armatosura për të verifikuar të dhënat personale, mënyrat e kontaktit dhe aftësitë profesionale që mund të përdoren në rast krize kombëtare ose konflikti të armatosur. Ministria e Mbrojtjes u ka dërguar letra ish-ushtarakëve, njoftoi sekretari i Mbrojtjes, Wes Streeting, duke thënë se qëllimi është të dihet se ku ndodhen ish-ushtarakët dhe çfarë aftësish zotërojnë në mënyrë që të aktivizohen nëse lind nevoja.
Nisma vjen ndërsa situata e sigurisë në Evropë është përkeqësuar për shkak të luftës në Ukrainë, tensioneve me Rusinë dhe incidenteve që kanë përfshirë edhe vende anëtare të NATO-s. Sipas gazetave britanike “The Times” dhe “The Telegraph”, disa prej ish-ushtarakëve kanë marrë letra ku u kërkohet të jenë të përgatitur për mundësinë e thirrjes në shërbim në rast lufte. Streeting tha se rezervi mund të jetë i nevojshëm për një fatkeqësi brenda Britanisë ose përballë një kërcënimi më serioz jashtë vendit dhe shtoi: “Dua që vendi të jetë vigjilent, jo i alarmuar.”
Ministri përmendi incidente të fundit si shkeljen e hapësirës ajrore polake nga raketat ruse, terrorizëm të sponsorizuar nga shteti rus në Evropë dhe incidente të lidhura me Iranin pranë bazave të Forcave Ajrore Mbretërore si shembuj të rritjes së rrezikut. Ai argumentoi se sa më mirë të jetë e përgatitur vendi, aq më pak gjasa ka të përballet me një konflikt ose luftë.
BBC shkruan se iniciativa nuk është shenjë e një lufte të afërt, por përpjekje për të shmangur problemet e identifikimit të ish-ushtarakëve që u shfaqën në vitin 2003 gjatë luftës në Irak. Lufta moderne kërkon gjithashtu aftësi teknologjike, komunikimi, elektronikë, sisteme radio dhe operim dronësh, prandaj nisma synon të identifikojë kush mund të kontribuojë dhe si të kontaktohet.
Justin Crump, ish-oficer dhe drejtues i Sibylline, e konsideron hapin të vonuar por të rëndësishëm; sipas tij kjo është faza e parë dhe përpjekjet mund të intensifikohen në fillim të vitit 2027. Kontaktet me veteranët, thuhet, janë pritur përgjithësisht mirë. Nisma vjen pas një kontrate 8 miliardë paund për modernizimin e flotës së nëndetëseve bërthamore dhe përbën pjesë të strategjisë së qeverisë për forcimin e kapaciteteve mbrojtëse të Britanisë, megjithëse zyrtarët theksojnë se përditësimi i të dhënave nuk do të thotë se një mobilizim është i pashmangshëm.
