Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka kundërshtuar shqyrtimin dhe votimin në Kuvend të aktit normativ për protestat, pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese për pezullimin e pjesshëm të zbatimit të tij.
Nga foltorja e Kuvendit, Berisha argumentoi se Parlamenti nuk mund të shqyrtojë një akt ligjor të pezulluar nga Kushtetuesja, duke e cilësuar një veprim të tillë si cenim të parimit të ndarjes së pushteteve dhe të pavarësisë së gjyqësorit.
“Këta nuk kanë ligj, as moral, as kriter, as standard, veprojnë në këtë mënyrë. Në parimin themelor të Kushtetutës të ndarjes së pushteteve, në asnjë rast dhe në asnjë rrethanë parlamenti nuk mundet të shqyrtojë një akt ligjor të pezulluar nga Gjykata Kushtetuese. Kjo përbën një asgjësim të ndarjes së pushteteve dhe të pavarësisë apo autonomisë të pushtetit gjyqësor”, deklaroi Berisha.
Kreu i demokratëve argumentoi se Kuvendi nuk ka kompetencë të ndërhyjë në përmbajtjen e aktit normativ, por vetëm ta miratojë ose ta rrëzojë atë në tërësi. Sipas tij, pas vendimit të Kushtetueses, Parlamenti duhet të ndalojë shqyrtimin e aktit.
“Së dyti, mësojeni dhe mos mashtroni, dekretet e qeverisë ose miratohen tekst integral, siç janë, dhe nuk mund të ndryshohen në asnjë nen. Çfarë do të thotë ky dekret i hedhur poshtë nga Gjykata Kushtetuese, ajo po, nuk mund të shqyrtohet në parlament. Nuk ka tagër parlamenti, përsëri është një nen tjetër i Kushtetutës, i cili garanton votimin të tërë ose asgjë të dekreteve të qeverisë. Nuk i lejon parlamentit ta ndryshojë dekretin. Dhe në këtë rast ne duhet t’i nënshtrohemi vendimit të Gjykatës Kushtetuese, e cila nenin 5, pikën 2, e ka pezulluar”, tha Berisha.
Gjatë fjalës së tij, kreu i PD-së akuzoi mazhorancën për qëndrimin ndaj protestuesve, duke paralajmëruar për pasojat që, sipas tij, mund të sjellë përshkallëzimi i përplasjes. Ai iu referua edhe denoncimit të një deputeteje të shumicës ndaj një protestueseje.
“Ju keni shpallur një armiqësi të egër. More, mendoni mirë, se kjo armiqësi e egër që shpallni ndaj tyre absolutisht mbart në vete shpërthime për të cilat do të jeni shumë përgjegjës. Dëgjoja sot unë deputeten tuaj, në prani të komisioneres për zgjerim dhe fqinjësi, padiste protestuesen. Po pse? Se e gjuajti me vezë. Po në politikë kështu je, edhe me vezë do të gjuajnë. Kjo është gjëja më normale. Po pse për këtë punë? E kuptoni ku jeni katandisur more ju veten tuaj?”, u shpreh Berisha.
Në përfundim, kreu i opozitës përsëriti qëndrimin e tij se akti normativ nuk mund të hidhet në votim pas vendimmarrjes së Gjykatës Kushtetuese.
“Dekreti nuk mund të votohet që në këtë moment që Gjykata Kushtetuese ka rrëzuar një nen të saj, ai nuk kalon në parlament. Nuk kalon në parlament, nuk kalon”, tha Berisha.
Pjesë nga fjala e Sali Berishës:
Kam vetëm një këshillë: Shko e vish fustanin e Elizës, se ajo meriton ato të tjerat. Ty po, kush… me ty e kam. Së pari.
Së dyti, mos provokoni qytetarët. Provokacione të ulëta keni filluar. Ju, fyeni qytetin, fyeni qytetarët e Tiranës dhe të Shqipërisë. Çfarë do të thotë kjo ngritja e trotuarëve që po bëni?
Inatçinj dhe provokatorë. Keni frikë se mos protestuesit do të çojnë pllakat e trotuarëve? Po pse nuk mund t’i mbushin ata xhepat me gurë? Pse i provokoni? Ata kanë qenë paqësorë. Por ky akt që bë keni bërë.
A e keni parë çfarë keni bërë tek Pazari i Ri, po çoni kudo trotuaret. Absolutisht e bëni vetëm për të nxitur dhunë. Për të nxitur dhunë, por çmimin më të lartë ju do e paguani.
Nuk ka, kjo është betejë që s’ndalet më. Ta keni të qartë. Jeni të pashpresë dhe po tregoheni të papërgjegjshëm.
Si mundet të flisni, si mund të veproni në këtë mënyrë ju? Ngrini trotuarët tani dhe në qoftë se ndonjë nga vajzat apo djemtë e protestës zgjedh një pemë për të hedhur ndonjë vezë do prisni pemët e Tiranës? Çfarë jeni bërë kështu, more? Çfarë qeniesh jeni ju?
Po të paktën të keni kurajon, se keni një përgjegjësi. Përgjegjësia juaj është se e mbështesni. Se e mbështesni apo jo? Ndaj edhe turpi, dekreti është i turpshëm, nuk mund të votohet dekreti, nuk mund të votohet, sepse Gjykata Kushtetuese e ka bërë të pavotueshëm në parlament. Absolutisht!
Nuk votohet një dekret i ndryshuar i mKëshillit të Ministrave. Prandaj hiqe nga rendi i ditës edhe ndaloni urgjentisht ngritjen e trotuarëve. Mos prekni trotuarët. Do të shpëtoni kokat tuaja duke shkatërruar trotuaret? Jo, nuk është kjo rruga.