“Po shkulni trotuaret, nxitje dhune”/ Berisha për dekretin e tubimeve: Hiqeni nga rendi i ditës, Kushtetuesja e bëri të pavotueshëm Vendimi i Gjykatës Kushtetuese për pezullimin e pjesshëm të aktit normativ për protestat ka shkaktuar debate në seancën plenare të Kuvendit mes deputetes demokrate Jorida Tabaku dhe deputetit socialist Ulsi Manja.
Tabaku i kërkoi nënkryetares së Kuvendit, e cila drejtonte seancën, të ndërpriste diskutimet dhe të mos hidhte në votim aktet, duke argumentuar se Parlamenti duhet të respektojë vendimmarrjen e Gjykatës Kushtetuese.
“Gjykata Kushtetuese sapo ka vendosur që këto akte janë pezulluar. Është në nderin e këtij Kuvendi që të mos çojmë përpara diskutimet për dy akte që janë të pezulluara në Gjykatën Kushtetuese. Për këtë arsye ju kërkuam që në fillim ndryshimin e rendit të ditës, ju kërkuam që të mos miratohen në Kuvend, ndërkohë që Gjykata Kushtetuese po i shqyrtonte”, u shpreh Tabaku.
Deputetja demokrate këmbënguli në ndërprerjen e diskutimeve, duke i kërkuar drejtueses së seancës të merrte përgjegjësinë për zbatimin e vendimit të Kushtetueses.
“Pezullimi nga ana e Gjykatës Kushtetuese i bën nul këto akte. A ka mundësi të ndalojë diskutimi për këto dy akte? A ka mundësi të zbatoni vendimin e Gjykatës Kushtetuese? Merrni përsipër që të ndalohet diskutimi pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese”, tha Tabaku.
Ndaj kërkesës së deputetes demokrate reagoi deputeti socialist Ulsi Manja, i cili argumentoi se Kuvendi ka kompetencën kushtetuese për të shqyrtuar aktin normativ të miratuar nga Këshilli i Ministrave brenda afatit 45-ditor.
“Nuk ka vendim gjykate që pezullon Kuvendin e Shqipërisë të ushtrojë kompetencat e veta sipas Kushtetutës së Shqipërisë. Ky Kuvend ka kompetencë kushtetuese të shqyrtojë sot aktin normativ të miratuar nga Këshilli i Ministrave, brenda afatit 45-ditor, siç e parashikon neni 101 i Kushtetutës”, deklaroi Manja.
Deputeti socialist kundërshtoi interpretimin e opozitës mbi vendimmarrjen e Kushtetueses, duke theksuar se Gjykata nuk ka pezulluar aktin normativ në tërësi, por vetëm dispozitën që parashikon sanksione administrative për bllokimin e rrugëve gjatë protestave.
“Është e pavërtetë që Gjykata Kushtetuese, në vendimin e saj sot, ka pezulluar zbatimin e aktit normativ. Gjykata Kushtetuese ka marrë vendim për kalimin e çështjes në seancë plenare për ta shqyrtuar me përparësi dhe ka pezulluar zbatimin e pikës 2 të nenit 5 të aktit, lidhur me gjobat për bllokimin e rrugëve automobilistike, me arsyetimin që kjo normë ka formulim të përgjithshëm dhe paraqet paqartësi në zbatimin e saj nga organet kompetente”, u shpreh Manja.
Në përfundim të ndërhyrjes së tij, deputeti socialist i cilësoi pretendimet e opozitës si retorikë politike, duke i lidhur ato me protestën e 28 nëntorit.
“Ky është vendimi i Gjykatës Kushtetuese sot, të tjerat janë retorikë politike për të rritur adrenalinën e protestës së 28 nëntorit”, deklaroi Manja.
Top Channel