Gjykata Kushtetuese ka pezulluar pjesërisht zbatimin e ndryshimeve në ligjin për tubimet, duke ndaluar përkohësisht gjobat për bllokimin e rrugëve gjatë protestave. Vendimi u mor pas kërkesës së disa organizatave të shoqërisë civile dhe grupeve studentore, të cilat kërkojnë shfuqizimin e plotë të aktit normativ. Konkretisht, pezullimi lidhet me nenin që parashikon vendosjen e gjobave ndaj protestuesve të cilët bllokojnë rrugët dhe pengojnë qarkullimin e automjeteve, të cilët kryesisht janë gjobitur me 5 mijë lekë, por nuk kanë munguar as gjobat deri ne 500 mijë lekë. Ndërkohë, Gjykata vendosi gjithashtu që çështja të shqyrtohet me përparësi, si dhe do ta shqyrtojë kërkesën në seancë plenare publike. Ndryshimet në ligjin për tubimet, të cilat u prezantuan nga kryeministri Edi Rama, parashikojnë gjoba për bllokimin e rrugëve gjatë protestave. Për pasojë, organizatat dhe qytetarë të ndryshëm iu drejtuan Gjykatës Kushtetuese, duke kundërshtuar këto ndryshime dhe duke kërkuar shfuqizimin e tyre.