Kryedemokrati Sali Berisha dhe deputeti socialist Erion Braçe u përfshinë në replika të ashpra në Kuvend, lidhur me protestat e zhvilluara në Tiranë kundër Qeverisë.
Braçe, duke e quajtur me ironi Berishën “luan”, i përmendi thirrjet e protestuesve në Tiranë “Rama n’burg, Berisha n’burg”. Ai pyeti pse ky “luan” nuk thërret po të njëjtat sloganë në Kuvend sikurse jashtë, duke e cilësuar si “një problem moral” faktin që figura publike nuk dëgjohet këtu. Braçe akuzoi gjithashtu për kontradikta rreth deklaratave për protestën e 28 nëntorit, duke thënë: “Dhe të thuash që me 28 nëntor protesta është madhështore kur ajo nuk ka ndodhur është një problem logjik që nuk më rri”. Ai kritikoi edhe gjuhën e përdorur ndaj institucioneve të arsimit: “Si mundet një pedagog të vijë këtu të thotë ‘po do ta djeg ministrinë e Arsimit se e dua’, ky është një problem i madh moral.”
Berisha iu përgjigj duke “këshilluar” Braçen të veshë fustanin e ministres Elisa Spiropali, dhe akuzoi Qeverinë për ndryshime në formën e trotuareve që, sipas tij, po bëhen për të parandaluar që protestuesit të përdorin pllakat e trotuareve për të sulmuar institucionet. Nga foltorja Berisha u shpreh mes të tjerash: “Kam vetëm një këshillë, shko e vish fustanin e Elisës, se ajo meriton ato të tjerat. Me ty e kam. Mos provokoni qytetarët, keni filluar provokacione të ulëta, ju fyeni qytetarët e Tiranës dhe të Shqipërisë.” Ai vazhdoi të pyeste për qëllimin e ngritjes së trotuareve dhe argumentoi se kjo do të nxiste dhunë: “Keni frikë se protestuesit do marrin pllakat e trotuareve. Pse i provokoni protestuesit, ata kanë qenë paqësor. Pse po çoni kudo trotuaret? Po e bëni për të nxitur dhunë, por çmimin më të lartë ju do e paguani.” Berisha përmendi gjithashtu shqetësimin për pemët dhe përplasjen e mundshme të protestuesve me mobilizimet: “Nëse ndonjë nga vajzat apo djemtë e protestës zgjedh pemë për të hedhur vezë, do prisni pemët e Tiranës? Ndaloni urgjentisht ngritjen e trotuareve, mos prekni trotuaret.”

