Studentët krijojnë partinë e dytë pas asaj të Berishës, pritet të themelojnë nga një parti çdo javë deri në zgjedhjet lokale, KQZ ka shpallur ‘në kërkim’ 90 subjekte pa adresë ose me ‘seli’ servis makinash

Kryesore

Publikuar: 26/11/2026

Studentët krijojnë partinë e dytë pas asaj të Berishës, pritet të themelojnë nga një parti çdo javë deri në zgjedhjet lokale, KQZ ka shpallur ‘në kërkim’ 90 subjekte pa adresë ose me ‘seli’ servis makinash

Në harkun kohor prej pesë ditësh studentët kanë krijuar dy parti, të frymëzuar nga Lëvizja Studentore në Serbi, e cila rrëzoi Vuçiçin pas 14 vitesh në pushtet. Në 21 nëntor, me porosi të Sali Berishës dhe përmes njerëzve të tij, një grup studentësh protestues shpallën partinë e parë e parë në emër të Revolucionit të Flamingove dhe protestave të dhunshme post Flamingo. Ata zyrtarizuar organizimin e një strukture të quajtur “Lëvizja Studentore”.

Sot, pesë ditë më vonë, një tjetër grup studentësh, në emër dhe si reflektim i protestës, njoftuan krijimin e partisë “Të Bashkuar për Shqipërinë”. Partinë e re e prezantoi sot Lulzime Faria, e cila tha se ka nisur mbledhja e firmave dhe se në javët në vijim grupi do të dalë në qytete e fshatra për të prezantuar nismën.

Grupe studentësh, gjatë ditëve në vijim, pritet të shpallin edhe tre parti të reja, gjithnjë në emër të protestës dhe rrymave revolucionare që synojnë rrëzimin e Edi Ramës nga pushteti. Me këtë ritëm, çdo javë pritet të themelohet dhe shpallet nga një parti e re deri në prag të zgjedhjeve lokale, duke thelluar më tej inflacionin e partive fantazmë në Shqipëri, ku përgjithësisht kanë vetëm emrin, ku shumica nuk kanë as adresë.

Gjatë verës, flamingot nisën një organizim pas platformave parahistorike të Dritan Goxhajt dhe Përparim Gjekës, duke u mbledhur nëpër holle hotelesh, ku nisën të grindeshin deri në përleshje fizike për mënyrën e rrëzimit të qeverisë, për protagonizëm dhe më pas për vjedhjen e fondeve të mbledhura në emër të revolucionit. Përleshjet shumë shpejt u zhvendosën para Kryeministrisë për mikrofonin dhe fondet. Grupi i flamingove u nda në disa fraksione kundërshtare, ndërsa dhjetëra mijëra euro u zhdukën.

Në Shqipëri ka rreth 120 parti politike. Rreth 90 prej tyre janë shpallur ‘në kërkim’ nga KQZ-ja, pasi nuk kanë adresë ose kanë deklaruar adresë të rreme, ndërsa nuk ka informacion nëse kanë anëtar, për kryeyarin dhe shpenzimet. Disa parti kanë si anëtar vetëm kryetarin, ndërsa të tjera edhe kryetarin e kanë fiktiv. Një parti ka figuruar me adresë në një servis nakinash në Vorë, ndërsa një tjetër në një bodrum, përshtatur si depo ushqimoresh.

Pjesë nga deklarata e grupit të partisë së radhës

Ne, një grup studentësh, të bashkuar me të rinjtë, atdhetarët dhe profesionistët, deklarojmë sot me zë dhe figurë krijimin e partisë ‘Të Bashkuar për Shqipërinë’.

Për 180 ditë, mijëra të rinj, prindër dhe qytetarë kanë treguar që Shqipëria nuk është e lodhur. Ky zë u përket të gjithëve atyre që iu bashkuan protestave për Shqipërinë.

Partia do t’u ofrojë atyre një rrugë kushtetuese drejt shtetit të së drejtës. Duam të bashkojmë zërat e shqiptarëve për një Shqipëri të bashkuar.

Shqipëria nuk është lodër. Në javët që vijnë do të jemi në fshatra dhe qytete për të ndërtuar programin e kësaj partie. Shqiptarët meritojnë një politikë që i dëgjon, drejtues me mandate të kufizuara, jo privilegje për themeluesit. Ftojmë shqiptarët të bashkohen, se e ardhmja e Shqipërisë nuk ndërtohet në një rreth të mbyllur, por nga të gjithë ne.

Kjo parti është nismë e studentëve, ka edhe pedagogë dhe persona të aftë në fusha të ndryshme që duan të japin kontributin e tyre.