Fushata e rekrutimit në Forcat e Armatosura ka vijuar në qytetin e Elbasanit, ku është zhvilluar një aktivitet informues me pjesëmarrjen e qytetarëve, kryesisht të rinj dhe nxënës nga shkollat e ndryshme të qytetit, veçanërisht nga gjimnazet.

Gjatë takimit, të rinjtë patën mundësinë të njihen më nga afër me mundësitë që ofron karriera ushtarake, kriteret e aplikimit, pajisjet dhe mjetet e Forcave të Armatosura, si dhe përfitimet që vijnë nga angazhimi në radhët e tyre.

Përfaqësuesit e rekrutimit informuan të pranishmit mbi mundësitë e zhvillimit profesional, trajnimet dhe kontributin që mund të japin në shërbim të vendit.

Aktiviteti në Elbasan synon të rrisë ndërgjegjësimin e të rinjve për mundësitë që ofron shërbimi ushtarak, duke i ftuar ata të bëhen pjesë e Forcave të Armatosura dhe të ndërtojnë një të ardhme të mbështetur në disiplinë, përgjegjësi dhe përkushtim ndaj atdheut.