Ministri izraelit mohon ekzistencën e Palestinës: Nuk ka pasur kurrë dhe nuk do të ketë as në të ardhmen

Ministri izraelit i Sigurisë Kombëtare, Itamar Ben-Gvir, ka përsëritur qëndrimin e tij kundër shtetësisë palestineze, duke bërë deklarata të ashpra në të cilat mohoi ekzistencën e Palestinës dhe tha se ajo nuk do të ekzistojë as në të ardhmen.
“Nuk ka Palestinë. Nuk ka pasur kurrë Palestinë. Nuk do të ketë kurrë Palestinë. Palestina ekziston vetëm në imagjinatën tuaj”, deklaroi Ben-Gvir.
Ai theksoi se i vetmi shtet që ekziston është Izraeli, duke shtuar se autoritetet izraelite kanë ligjet e tyre dhe kanë filluar zbatimin e tyre.
“Ekziston Shteti i Izraelit dhe Shteti i Izraelit ka ligje, zbatimin e të cilave kemi filluar ta bëjmë”, u shpreh ai.
Deklaratat e ministrit vijnë në një kohë kur çështja e krijimit të një shteti të pavarur palestinez vazhdon të jetë një nga temat më të ndjeshme të politikës ndërkombëtare dhe një prej pengesave kryesore në përpjekjet për arritjen e paqes në Lindjen e Mesme.
Ben-Gvir, një nga figurat më të djathta në qeverinë e kryeministrit Benjamin Netanyahu, ka kundërshtuar vazhdimisht krijimin e një shteti palestinez dhe ka mbështetur politika më të ashpra ndaj palestinezëve.
Qëndrimet e tij kanë nxitur reagime dhe kritika ndërkombëtare, veçanërisht për shkak të ndikimit që mund të kenë në përpjekjet diplomatike për zgjidhjen e konfliktit izraelito-palestinez.
Ndërkohë, shumica e komunitetit ndërkombëtar vazhdon ta mbështesë zgjidhjen me dy shtete, sipas së cilës Izraeli dhe Palestina do të ekzistonin si dy shtete të pavarura, me kufij të dakorduar përmes negociatave. /Telegrafi/


































