Gjykata e Posaçme ka dhënë vendimin për fraksionin e dosjes “Veliaj”, i cili u gjykua me procedurën e gjykimit të shkurtuar. Biznesmeni Elman Abule është dënuar me 7 vite burg, por për shkak të gjykimit të shkurtuar, dënimi i tij ulet në 4 vite e 8 muaj burg. Abule akuzohet për pastrim parash. Sipas SPAK, përmes kompanisë së tij janë qarkulluar para drejt subjekteve të lidhura me Ajola Xoxën. Në të njëjtën çështje, biznesmeni Fatmir Bektashi dhe shoqëria “Kontakt” SHPK janë shpallur të pafajshëm. Nga ana tjetër, ish-deputetja socialiste Klotilda Bushka është dënuar me 300 mijë lekë gjobë, që ulet në 200 mijë lekë. Ina Goxhaj është dënuar me 7 vite burg, të llogaritura në 4 vite e 8 muaj, por gjykata ka pezulluar ekzekutimin e dënimit dhe e ka konvertuar në 5 vite shërbim prove. Frosina Bollo është dënuar me 1 vit burg që ulet në 8 muaj, dënim që është konvertuar në 16 muaj shërbim prove.