Kompania gjermane SAP SE po përgatit një plan për të eliminuar të paktën 10 mijë vende pune, me synimin për të shndërruar biznesin e saj të programeve kompjuterike dhe për ta përshtatur me epokën e inteligjencës artificiale, sipas personave të njohur me çështjen.
Ristrukturimi do prekte rreth 9% të fuqisë punëtore globale të kompanisë, thanë këta persona, të cilët kërkuan të mos identifikoheshin për shkak se diskutimet janë ende në zhvillim. Numri përfundimtar i vendeve të punës që do shkurtohen nuk është përcaktuar dhe mund të ndryshojë ende pas negociatave me përfaqësuesit e punonjësve, shtuan ata.
Planet vijnë pasi SAP, kompania më e vlefshme e programeve kompjuterike në Evropë, riorganizoi dy herë bordin drejtues gjatë këtij viti, në kuadër të përpjekjeve të drejtorit ekzekutiv Christian Klein për të promovuar një strategji që vendos inteligjencën artificiale në qendër të aktivitetit të saj. Dy nga gjashtë anëtarët e bordit do të largohen nga kompania me seli në Walldorf të Gjermanisë në muajin mars.
“SAP e rishikon vazhdimisht organizimin e saj për t’u siguruar që ai mbetet në përputhje me strategjinë dhe nevojat e klientëve”, tha kompania në një deklaratë, duke refuzuar të komentojë nëse janë planifikuar shkurtime të vendeve të punës.
Në kuadër të ndryshimeve, drejtuesit e SAP do të vazhdojnë të riorganizojnë mënyrën se si kompania zhvillon dhe shet produktet e saj, sipas personave të njohur me çështjen. Klein synon të integrojë mjetet e inteligjencës artificiale në aplikacionet e kompanisë, pasi përpjekjet e mëparshme për të prezantuar produkte të bazuara në IA janë përballur me probleme.

Të gjitha departamenteve u është kërkuar të identifikojnë fushat ku mund të bëhen shkurtime, ndërsa vëmendje e veçantë po i kushtohet departamenteve të produkteve dhe inxhinierisë, si dhe atij të shitjeve, thanë burimet.
Klein mori këtë vit pjesën më të madhe të përgjegjësive të drejtuesit të produkteve, Muhammad Alam, pasi ky i fundit nuk rinovoi kontratën, e cila përfundon në mars. Drejtuesi i shitjeve, Thomas Saueressig, të cilit në fillim të këtij viti iu besua një rol më i gjerë, njoftoi javën e kaluar se do të largohet nga kompania për t’u bërë drejtor ekzekutiv i Ionos Group SE.
Historikisht, SAP ka njoftuar ristrukturime të mëdha në fund të janarit, njëkohësisht me publikimin e rezultateve vjetore. Këtë e bëri për herë të fundit në vitin 2024. Në atë proces u eliminuan rreth 10 mijë vende pune, me një kosto prej afërsisht 3 miliardë eurosh (3.3 miliardë dollarë), ndërsa zbatimi zgjati më shumë se një vit. Procesi u realizua kryesisht përmes largimeve vullnetare dhe rikualifikimit të punonjësve, ndërsa numri i përgjithshëm i të punësuarve mbeti relativisht i pandryshuar, pasi SAP rekrutoi punonjës për pozicione të reja.
Në Gjermani, ku SAP ka numrin më të madh të punonjësve, këshilli i punonjësve negocioi këtë vit një garanci punësimi deri në vitin 2028. Në mbarë botën, SAP ka më shumë se 110 mijë të punësuar.
“Numri i punonjësve tanë është rritur pak gjatë këtij viti”, tha drejtori financiar Dominik Asam në një konferencë të Morgan Stanley javën e kaluar, duke shtuar se “do të habitej shumë” nëse kjo prirje nuk do të përmbysej.