Një tjetër rast i rëndë i dhunës ndaj grave është regjistruar në Itali, ku një 25-vjeçar dyshohet se ka vrarë partneren e tij 23-vjeçare dhe më pas ka kryer vetëvrasje.
Viktima, Ionela Miruna Girneata, me origjinë rumune, u gjet e pajetë në banesën ku jetonte me partnerin e saj, Andrea Nardini, në Ponte Buggianese, në provincën e Pistojës.
Sipas dyshimeve të hetuesve, 25-vjeçari e ka sulmuar të renë me një objekt të fortë. Gjatë këqyrjes së banesës, policia konstatoi gjurmë gjaku dhe shenja të mundshme përleshjeje në trupin e viktimës. Objekti që dyshohet se është përdorur në krim nuk është gjetur ende.
Autoritetet kanë sekuestruar gjithashtu disa armë gjahu që ndodheshin në banesë. Nga verifikimet paraprake nuk rezulton të ketë pasur denoncime të mëparshme për dhunë në çift.
Lëvizja e autorit pas krimit
Ngjarja dyshohet se ka ndodhur pak pas orës 08:00 të mëngjesit. Pas krimit, Nardini është larguar me automjetin e tij, një Alfa Romeo Giulietta, duke përshkuar rreth 70 kilometra në drejtim të veriut.
Gjatë udhëtimit, ai ka telefonuar numrin e emergjencës 112 dhe ka deklaruar se kishte vrarë të dashurën e tij.
Pak më vonë, 25-vjeçari ka mbërritur në viaduktin Lora, pranë Barberino di Mugello, ku i ka vënë flakën automjetit dhe më pas është hedhur nga ura, duke humbur jetën.
Ngjarja është sinjalizuar edhe nga drejtuesit e automjeteve që po kalonin në autostradë, të cilët kanë njoftuar shërbimet e emergjencës për makinën e përfshirë nga flakët.
Prokuroria e Pistojës ka hedhur poshtë pretendimet e disa fqinjëve se autori ndodhej ende në banesë kur mbërriti policia, duke sqaruar se ai ishte larguar më herët.
Tragjedia ka rikthyer vëmendjen te një tjetër femicid i ndodhur në shtator, kur Lorena Isceri u hodh nga i njëjti viadukt nga Federico Vella, pas rrëmbimit të saj. Edhe ky i fundit i dha fund jetës në të njëjtin vend.
Krimi ndodhi vetëm një ditë pas 25 nëntorit, Ditës Ndërkombëtare për Eliminimin e Dhunës ndaj Grave.













