Gjykata e Apelit në Kosovë ka zbardhur detaje të rënda nga aktgjykimi për vrasjen e Liridona Ademajt, duke argumentuar arsyet për lënien në fuqi të dënimeve ndaj Naim Murselit, Granit Plavës dhe Kushtrim Kokallës.
Në vendimin e saj, Apeli thekson se Naim Murseli e ka mbajtur bashkëshorten e tij për krahu në momentin e vrasjes, me qëllim që Granit Plava ta qëllonte me armë në mënyrë të sigurt.
Sipas arsyetimit të gjykatës, Plava e ka qëlluar Liridonën me një plumb, duke i shkaktuar vdekjen. Gjykata e ka vlerësuar këtë veprim si pjesë të planifikimit të detajuar të krimit nga të akuzuarit.
Një tjetër rrethanë rënduese e evidentuar nga Apeli është fakti se vrasja u krye në prani të dy fëmijëve të Liridona Ademajt.
Në aktgjykim përmendet gjithashtu sjellja e të dënuarve pas krimit. Sipas gjykatës, ata vijuan aktivitetet e tyre të zakonshme, përfshirë daljet në lokale, pa shfaqur shenja dhimbjeje apo pendimi për vrasjen.
Apeli ka refuzuar edhe ankesat e Prokurorisë dhe të përfaqësuesit të familjes së viktimës për rritjen e dënimit ndaj Kushtrim Kokallës në burgim të përjetshëm. Gjykata argumenton se Kokalla është dënuar për ndihmë në kryerjen e vrasjes dhe ligji parashikon një dënim më të butë për personat që ndihmojnë në kryerjen e veprës penale, krahasuar me autorët e saj.
Me vendimin e Apelit, janë lënë në fuqi burgimi i përjetshëm për Naim Murselin dhe Granit Plavën, si dhe 30 vite burg për Kushtrim Kokallën.
Liridona Ademaj u vra më 29 nëntor 2023 në Bërnicë të Prishtinës, ndërsa ndodhej në automjet me bashkëshortin dhe dy fëmijët e tyre.













