Mbi 2 tonë produkte mishi janë bllokuar nga Autoriteti Kombëtar i Ushqimit në një subjekt për përpunimin e mishit në Fier. Sipas njoftimit zyrtar, bllokimi erdhi pas konstatimit të shkeljeve të kushteve higjieno-sanitare dhe mungesës së gjurmueshmërisë së produkteve. Gjatë kontrollit në subject u bllokuan mbi 2000 kilogramë produkte, nga të cilat mbi 1.600 kg gjiro, 100 kg dhjamë derri dhe 360 kg kimë mish pule, të destinuara për asgjësim. Subjekti u gjobit me 1 milion lekë dhe iu ndërpre pjesërisht aktiviteti. Ndërkohë, në kuadër të kontrolleve të ushtruara gjatë dy ditëve në të gjithë vendin, AKU ka inspektuar 160 subjekte dhe ka vendosur gjithsej 8 gjoba me vlerë 1 milion e 460 mijë lekë, si dhe 9 gjoba me paralajmërim. Kontrolle janë ushtruar edhe në qarqet Shkodër, Durrës dhe Dibër. Ndërkohë, në Dibër, Kopshti nr. 3 dhe Spitali I Peshkopisë u gjobitën me nga 30 mijë lekë secili, për mosrealizimin e detyrave të lëna nga inspektimet e mëparshme.