Egnatia shpërthen, fitore e madhe në Conference League
Egnatia ka marrë një fitore shumë të rëndësishme në UEFA Conference League, duke mposhtur me rezultatin 2-1 skuadrën e Lincoln Red Imps në ndeshjen e vlefshme për javën e katërt të fazës së ligës.
Kampionët e Shqipërisë kanë siguruar tri pikët pas një përballjeje me emocione, ku gjithçka u vendos në pjesën e dytë. Pas një pjese të parë pa gola, rrogozhinasit kaluan në avantazh në minutën e 47-të me Alessandro Albanese, i cili dërgoi topin në rrjetë pas një asistimi të Fernando Medeiros.
Kur dukej se Egnatia do ta administronte avantazhin, Lincoln Red Imps riktheu baraspeshën në minutën e 79-të me Yussef Flalhi Idrissi.
Megjithatë, reagimi i skuadrës shqiptare ishte i menjëhershëm. Vetëm dy minuta më vonë, në minutën e 81-të, Fernando Medeiros realizoi golin e fitores, pas asistimit të Numan Ajetovikj.
Kështu, Egnatia siguron një triumf të çmuar në arenën europiane, duke marrë tri pikët përballë skuadrës nga Gjibraltari dhe duke mbajtur gjallë shpresat për vazhdimin e aventurës në Conference League.




