Një 40-vjeçar shqiptar është arrestuar nga karabinierët në Itali, pasi dyshohet se ka qenë autor i dy zjarrvënieve të qëllimshme ndaj një bashkëkombësi.
Ngjarjet kanë ndodhur në provincën e Vareses, ku shënjestër e sulmeve ka qenë një sipërmarrës shqiptar 32-vjeçar, i cili punon në sektorin e ndërtimit.
Sipas mediave italiane, zjarri i parë përfshiu një banesë që ishte ende në ndërtim, ndërsa në rastin e dytë u dogj një furgon që përdorej nga sipërmarrësi për punë.
40-vjeçari, i njohur më parë nga autoritetet italiane, u lokalizua dhe u arrestua në Legnano gjatë natës mes 24 dhe 25 nëntorit.
Ndaj tij ishte lëshuar një urdhër arresti me burg nga Gjykata e Vareses. Pas procedurave përkatëse, ai u dërgua në burgun e Busto Arsizios, ku do të qëndrojë në dispozicion të autoriteteve gjyqësore.
Hetimet vijojnë për të zbardhur rrethanat dhe motivet e dy zjarrvënieve.












