Shpërthim i fuqishëm në rafinerinë e naftës në Bangkok, 9 të plagosur, 3 në gjendje kritike Një pemë Krishtlindjesh është përfshirë nga flakët në Paris, gjatë një proteste studentore të zhvilluar të enjten në kryeqytetin francez. Pamjet nga vendngjarja tregojnë pemën e përfshirë plotësisht nga zjarri, ndërsa forcat e policisë janë mobilizuar në zonë për të monitoruar situatën. Shkaku i zjarrit mbetet ende i paqartë.
Protesta ishte pjesë e një dite kombëtare grevash dhe demonstratash, të thirrura nga organizatat studentore dhe sindikatat e arsimit në Francë. Në Paris, marshimi ishte planifikuar të niste nga sheshi Bastille dhe të përfundonte pranë Panteonit.
Studentët dhe punonjësit e arsimit kanë parashtruar një sërë kërkesash, mes të cilave krijimin e 150 mijë vendeve të reja në arsimin e lartë, shfuqizimin e platformave të pranimit universitar Parcoursup dhe Mon Master, rritjen e bursave për studentët dhe përmirësimin e pagave të punonjësve të sektorit arsimor.
Mobilizimi i fundit vjen pas më shumë se dy muajsh protestash studentore në të gjithë Francën. Organizatorët i kanë cilësuar të pamjaftueshme lëshimet e bëra nga qeveria, pavarësisht premtimit për krijimin e 20 mijë vendeve të reja në universitetet franceze dhe reformimin e sistemit të pranimit.
Gjatë javëve dhe muajve të fundit, protestat studentore janë zgjeruar duke përfshirë edhe sindikatat, punonjësit e sektorit publik dhe grupe të tjera që kundërshtojnë masat e kursimit dhe politikat ekonomike të qeverisë. Në disa prej demonstratave janë regjistruar përplasje, trazira dhe episode dhune në qytete të ndryshme të Francës.
Ndërkohë, autoritetet po ndjekin situatën në Paris, ku protesta e fundit studentore u shoqërua edhe me djegien e pemës së Krishtlindjes, ndërsa rrethanat e këtij incidenti mbeten ende për t’u sqaruar.
Top Channel