Deputeti i PDK-së, Uran Ismaili, ka bërë të ditur përmes një postimi në rrjetet sociale se gjatë ditës së sotme ka qëndruar në Hagë, ku vizituar ish-kryetarin e partisë dhe të Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli.
Ismaili shprehet se me Veselin kanë biseduar për përgatitjen e strategjisë për apelimin e aktgjykimit dënues.
Postimi i plotë i Uran Ismailit:
Përgjegjësia jonë historike në mbrojtje të së vërtetës.
Në prag të Festës së Flamurit, isha në Hagë si pjesë e ekipit mbrojtës në vizitë te kryetari Kadri Veseli.
Takimet me të më japin gjithmonë kurajo. E gjeta të fortë si gjithmonë, me zemrën plot.
Biseduam për përgatitjet për apel dhe për hapat që kemi përpara. E gjithë vëmendja jonë është te apeli. Në këtë betejë është në peshore edhe e vërteta e Kosovës dhe e luftës sonë çlirimtare.
Përballë padrejtësisë që u është bërë heronjve të luftës sonë me dënimin e tyre, angazhimi ynë si shoqëri duhet të jetë edhe më i madh.
Beteja për të vërtetën e Kosovës vazhdon. Në këtë betejë, uniteti dhe angazhimi ynë kanë peshë. Është përgjegjësia jonë historike ta mbrojmë të vërtetën e luftës sonë çlirimtare.
Top Channel