Gjykata e Apelit ka lënë në fuqi dënimin me burgim të përjetshëm për Naim Murselin, të dënuar për vrasjen e rëndë të bashkëshortes së tij, Liridona Ademaj. Apeli ka refuzuar ankesat e mbrojtjes, duke vlerësuar se Gjykata Themelore në Prishtinë ka vërtetuar drejt rolin e Murselit në planifikimin dhe kryerjen e vrasjes.
Një nga detajet kryesore që theksohet në arsyetimin e vendimit, të siguruar nga Insajderi, është roli i drejtpërdrejtë i Murselit në momentin e ekzekutimit. Sipas Apelit, ai e ka mbajtur Liridona Ademajn për krahu, në mënyrë që Granit Plava ta qëllonte me armë zjarri. Gjykata e ka vlerësuar këtë veprim si element të dinakërisë, në kuadër të veprës penale të vrasjes së rëndë.
Në vendim thuhet se Murseli kishte planifikuar vrasjen për shkak të raporteve të përkeqësuara bashkëshortore dhe motivit të përfitimit material. Ai e kishte sjellë Liridonën në vendin e ngjarjes së bashku me dy fëmijët e tyre, të moshës katër dhe gjashtë vjeç.
Sipas përshkrimit të ngjarjes në arsyetimin gjyqësor, pasi kishte ndaluar automjetin dhe i kishte dhënë sinjal me drita Plavës, Murseli e kishte mbajtur viktimën për krahu, ndërsa Plava kishte qëlluar me armë zjarri në drejtim të saj.
Për këtë konstatim, Apeli i referohet dëshmisë së Leonard Ademajt, vëllait të viktimës, i cili kishte përcjellë deklarimet e fëmijës së pranishëm në vendngjarje në momentin e të shtënave. Gjykata merr në konsideratë edhe ekspertizën mjekoligjore dhe deklaratën e ekspertit Naim Uka, ku konfirmohet ndrydhja në krahun e viktimës, në përputhje me rrëfimin e të dëmtuarit.
Apeli vlerëson se mënyra e kryerjes së vrasjes, në prani të dy fëmijëve të mitur, shkalla e lartë e dashjes dhe mungesa e rrethanave lehtësuese e bëjnë dënimin me burgim të përjetshëm të drejtë dhe të ligjshëm.
Në arsyetimin e vendimit përmenden edhe deklaratat e Naim Murselit, Granit Plavës dhe Kushtrim Kokallës, të cilët kanë mohuar kryerjen e veprave penale. Megjithatë, sipas gjykatës, këto deklarime nuk i rrëzojnë faktet dhe rrethanat e vërtetuara gjatë gjykimit, përfshirë praninë e Murselit dhe Plavës së bashku në vendin e ngjarjes, si dhe takimet mes tyre.
Me këtë vendim, Gjykata e Apelit ka refuzuar ankesat e mbrojtjes dhe ka konfirmuar burgimin e përjetshëm për Naim Murselin.







Komente
Komento