Zëvendëspresidenti i Turqisë, Cevdet Yılmaz, ka deklaruar se zgjedhjet e ardhshme në vend do të mbahen në vitin 2028, por ka lënë të hapur mundësinë që ato të organizohen një ose dy muaj më herët.

Gjatë një konference për media, Yılmaz u bëri thirrje qytetarëve të mos u besojnë raportimeve spekulative për zgjedhje të parakohshme, duke sqaruar se diskutimet aktuale kanë të bëjnë vetëm me zhvendosjen e mundshme të datës së zgjedhjeve.


“Ju lutem, mos u besoni lajmeve dhe komenteve spekulative për zgjedhjet. Në Turqi dihet se kur do të mbahen ato: në vitin 2028. A mund të mbahen një ose dy muaj më herët? Ekziston një diskutim i tillë, por kjo nuk mund të cilësohet si zgjedhje e parakohshme. Ne e quajmë zgjedhje të mbajtura më herët se afati i paraparë”, deklaroi Yılmaz.

Ai foli gjithashtu për mundësinë që presidenti aktual, Recep Tayyip Erdogan, të kandidojë sërish për një mandat të ri, raportojnë mediat.

Yılmaz konfirmoi se Partia për Drejtësi dhe Zhvillim (AK Parti), së bashku me partnerin e saj në koalicion, Aleancën Popullore, mbështesin rikandidimin e presidentit turk.

Sipas tij, vazhdimësia e udhëheqjes është e rëndësishme në një periudhë të karakterizuar nga sfida ekonomike dhe gjeopolitike.

“Partia jonë dhe partneri ynë në Aleancën Popullore kanë një qëndrim të qartë në mbështetje të rikandidimit të presidentit tonë. Besojmë se, në këtë periudhë të vështirë ekonomike dhe gjeopolitike për botën, udhëheqja është më e rëndësishme se kurrë. Një udhëheqje me përvojë dhe vendosmëri është shumë e vlefshme për vendin tonë”, tha ai.

Në fund, sipas Kushtetutës së Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan nuk mund të kandidojë automatikisht për një mandat të tretë presidencial në vitin 2028.

Megjithatë, ekziston një dispozitë kushtetuese që ia mundëson një gjë të tillë, nëse plotësohet një kusht i rëndësishëm - parlamenti turk duhet të vendosë për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme.

Kjo është arsyeja pse deklaratat e zëvendëspresidentit turk për mundësinë e zhvendosjes së zgjedhjeve një ose dy muaj më herët kanë rëndësi politike dhe kushtetuese. /Telegrafi/