Izraeli drejt një qeverie të re? Eisenkot arrin marrëveshje koalicioni me demokratët e krahut të majtë

Botë | 1 minutë më parë

Përpjekjet për formimin e qeverisë së re në Izrael kanë shënuar një tjetër zhvillim të rëndësishëm, pasi partia centriste e Gadi Eisenkotit, “Yashar”, dhe partia e majtë “Demokratët” kanë arritur një marrëveshje koalicioni.

Marrëveshja përfaqëson hapin e dytë të rëndësishëm për Eisenkotin në rrugën drejt krijimit të kabinetit të ri qeveritar, pasi vetëm pak ditë më parë edhe partia e djathtë “Israel Beiteinu”, e drejtuar nga Avigdor Liberman, iu bashkua koalicionit të tij.

Lajmi u konfirmua përmes një deklarate të përbashkët të dy partive.

“Gadi Eisenkot, kryetar i Yashar, dhe Yair Golan, kryetar i Demokratëve, kanë rënë dakord të nënshkruajnë një marrëveshje koalicioni mes dy partive”, thuhet në deklaratë.

Marrëveshja vjen vetëm dy ditë pasi Demokratët njoftuan pezullimin e negociatave me formacionin e Eisenkotit, mes raportimeve për mosmarrëveshje lidhur me ndarjen e posteve ministrore në qeverinë e ardhshme.

Megjithatë, pavarësisht marrëveshjes së re, rruga drejt sigurimit të shumicës parlamentare mbetet e vështirë. Partitë e Eisenkotit, Libermanit dhe Golanit kontrollojnë aktualisht 36 vende në parlament, shumë larg 61 mandateve të nevojshme për të formuar qeverinë.

Një element kyç në ekuacion mbetet partia “Beyachad” e ish-kryeministrit Naftali Bennett, e cila zotëron 12 mandate. Edhe pse konsiderohet pjesë e bllokut anti-Netanyahu, ajo ende nuk ka nënshkruar një marrëveshje të formalizuar koalicioni me Eisenkotin.

Ndërkohë, blloku opozitar vazhdon të përballet me debate të brendshme mbi formulën e qeverisjes. Një pjesë e aleatëve mbështesin bashkëpunimin me partitë arabe, ndërsa të tjerë preferojnë një aleancë me partitë ultra-ortodokse ose edhe mundësinë e krijimit të një qeverie uniteti kombëtar me partinë Likud të Benjamin Netanyahut.

Demokratët kanë ushtruar presion mbi Eisenkotin për të bashkëpunuar me dy listat politike me shumicë arabe, të cilat shënuan rezultate të forta në zgjedhjet e fundit, duke argumentuar se kjo do të rriste shanset për largimin e Netanyahut nga pushteti.

Nga ana tjetër, përpjekjet për një qeveri uniteti me Likudin nuk kanë prodhuar rezultate konkrete. Mediat izraelite raportojnë se katër raunde bisedimesh mes përfaqësuesve të Yashar dhe Likudit nuk kanë sjellë përparim të dukshëm.

Avigdor Liberman akuzoi të enjten kryeministrin në detyrë Benjamin Netanyahu se po përpiqet të pengojë krijimin e qeverisë së re.

“Netanyahu do t’i zvarrisë negociatat për një qeveri uniteti deri në momentin e fundit, do të kërkojë një pretekst për t’i hedhur ato në erë dhe, edhe nëse një qeveri e tillë formohet, ai do të përpiqet të krijojë një krizë brenda pak muajsh për ta çuar Izraelin sërish në zgjedhje”, deklaroi Liberman.

Eisenkot ka afat deri më 6 dhjetor për të formuar qeverinë e re, afat i cili mund të zgjatet edhe me 14 ditë të tjera.

Nëse ai arrin të sigurojë mbështetjen e nevojshme parlamentare, do të zëvendësojë Benjamin Netanyahun në krye të qeverisë izraelite pas zgjedhjeve të fundit, të cilat nuk prodhuan një shumicë të qartë për asnjë kamp politik.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme