Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, ka vlerësuar rëndësinë e organizimit të Kampionatit Europian U-21 të vitit 2027, duke e cilësuar atë si një ngjarje historike për futbollin shqiptar dhe një mundësi të madhe për promovimin e vendit në arenën ndërkombëtare.
Gjatë ceremonisë së hedhjes së shortit në Beograd, ku u përcaktuan grupet e turneut që Shqipëria do të organizojë së bashku me Serbinë, Duka theksoi se ky është kompeticioni i dytë më i rëndësishëm i UEFA-s për ekipet kombëtare, pas Kampionatit Europian për përfaqësueset A.
Sipas kreut të FSHF-së, gjatë muajit qershor 2027 vëmendja e futbollit europian do të përqendrohet te dy vendet organizatore, pasi aktivitetet e klubeve do të kenë përfunduar dhe në qendër do të jenë talentët e rinj të kontinentit.
Duka u ndal edhe te rëndësia sportive për Shqipërinë U-21, e cila do të marrë pjesë për herë të parë në fazën finale të këtij kompeticioni. Ai u shpreh se për futbollistët e rinj kuqezi kjo do të jetë një mundësi e veçantë për t'u përballur me më të mirët e Europës dhe për të fituar eksperiencë të vlefshme për karrierën e tyre.
“Për ekipin tonë kombëtar është hera e parë që marrim pjesë në një event kaq të rëndësishëm. Është hera e parë që futbollistët tanë të rinj do të përballen me më të mirët e Europës. Uroj që të marrin eksperiencën e duhur dhe ta shfrytëzojnë këtë moment historik për karrierën e tyre”, deklaroi Duka.
Presidenti i FSHF-së theksoi gjithashtu se kampionati do të ketë ndikim edhe te fëmijët dhe të rinjtë e Shqipërisë dhe Serbisë, duke i motivuar ata të merren me futbollin dhe të ndjekin ëndrrën për t'u bërë profesionistë. Ai nënvizoi se stadiumet e rinovuara dhe fushat e ndërtuara për këtë aktivitet do të mbeten një trashëgimi e rëndësishme për brezat e ardhshëm.
Duke folur për bashkëorganizimin me Serbinë, Duka theksoi përgjegjësinë e dy federatave për të realizuar një turne sa më të suksesshëm dhe për t'i bërë të gjithë pjesëmarrësit të ndihen të mirëpritur.
Në përfundim, ai kujtoi eksperiencën e FSHF-së në organizimin e aktiviteteve ndërkombëtare, përfshirë finalen e Conference League në Tiranë dhe Kampionatin Europian U-17 në vitin 2025.
“E dimë që një kampionat i këtij niveli kërkon shumë punë, por me eksperiencën, përkushtimin dhe angazhimin tonë besoj se do të jemi të suksesshëm. Uroj që çdo futbollist, skuadër dhe tifoz të ndihet si në shtëpi dhe ata që do të vizitojnë për herë të parë Shqipërinë të kenë dëshirën të rikthehen”, përfundoi presidenti i FSHF-së.
© SYRI.net
VIDEO/ Sabah Kerjota spektakolar ndaj Monacos, shqiptari shënon supergol dhe barazon rezultatin
Egnatia ngjitet në zonën play-off të Conference League, ndeshja e radhës vendimtare
Milani përmbys Olympiacosin me katër gola, Hutchinson protagonistBëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: