Nënkryetari i Partisë Demokratike, Belind Këlliçi, ka hedhur akuza të forta ndaj Partisë Socialiste, duke e cilësuar atë si një organizatë kriminale të ndërtuar mbi interesa korruptive, klienteliste dhe mafioze.
I ftuar në emisionin “Prime News24”, demokrati deklaroi se përplasjet e fundit brenda mazhorancës janë shenjë e një lufte mes klaneve, ku në qendër të përgjegjësisë vendosi kryeministrin Edi Rama.
Duke komentuar përjashtimin e Elisa Spiropalit nga grupi parlamentar socialist, Këlliçi u shpreh se është për t’u përshëndetur fakti që ajo ka zgjedhur të flasë publikisht për zhvillimet brenda partisë, megjithëse, sipas tij, për vite me radhë ka qenë pjesë e konsolidimit të pushtetit të Ramës.
Ai u ndal veçanërisht te qëndrimi i Spiropalit për çështjen e imunitetit të Belinda Ballukut, duke vlerësuar faktin që ajo nuk u bashkua me votat e mazhorancës për të kundërshtuar kërkesën e SPAK për heqjen e imunitetit të ish-zëvendëskryeministres.
“Është për t’u përshëndetur që një person i tillë, që ka kontribuar në konsolidimin e pushtetit të Edi Ramës, flet hapur për situatën. Ajo i ka shërbyer instalimit të autokracisë në vend, por ka një akt me vlerë, që nuk ka bashkuar votat me deputetët e PS-së për të mbrojtur Belinda Ballukun”, deklaroi Këlliçi.
Më tej, demokrati i cilësoi përplasjet brenda PS-së si një luftë interesash, larg bindjeve politike, duke pretenduar se grupimet brenda mazhorancës po përplasen për interesa korruptive dhe klienteliste.
“PS-ja ka problemet e saj dhe është një organizatë kriminale me interesa të ndryshme korruptive, klienteliste dhe mafioze. Ka klane që përplasen gjithë kohës dhe është për të ardhur keq që një parti politike kthehet në një organizatë të mirëfilltë kriminale. PS-ja është e gjitha një grup kriminal dhe kreu i saj është Edi Rama. Sa kohë nuk i biem problemit në kokë, aty duhet ta mbajmë diskurin”, u shpreh ai.
Në përfundim, Këlliçi foli edhe për protestat e të rinjve, duke i lidhur ato me kundërshtimin ndaj korrupsionit dhe mënyrës së qeverisjes së mazhorancës. Sipas tij, të rinjtë që kanë dalë në shesh po kundërshtojnë modelin politik që ai e identifikoi me dyshen Rama-Balluku.
“Të rinjtë shqiptarë janë në shesh kundër korrupsionit Rama-Balluku dhe sepse nuk bien dakord me këtë model”, theksoi nënkryetari i PD-së.













