Një zhvillim i rëndësishëm politik është regjistruar në Izrael, ku ish-shefi i ushtrisë Gadi Eisenkot dhe kreu i Partisë Demokratët, Yair Golan, kanë arritur marrëveshje për bashkëpunimin në një koalicion të ri qeverisës, me synimin për t'i dhënë fund qeverisjes së Benjamin Netanyahut. Lajmi është konfirmuar nga Reuters dhe The Times of Israel, të cilat raportojnë se marrëveshja vjen pas disa ditësh bllokimi të negociatave mes dy kampeve.
Sipas marrëveshjes, partia e Golanit pritet të marrë katër poste ministrore, mes tyre Sigurinë Kombëtare, Punën dhe Mirëqenien, Komunikimin dhe Kulturën e Sportin. Palët kanë rënë dakord gjithashtu për angazhimin për të shfuqizuar reformën në drejtësi të ndërmarrë nga qeveria Netanyahu dhe për të garantuar pavarësinë e sistemit gjyqësor. The Ëashington Post e cilëson këtë marrëveshje si një hap të rëndësishëm në përpjekjen e Eisenkotit për të larguar Netanyahun nga pushteti.
Megjithatë, marrëveshja nuk nënkupton ende formimin e një qeverie të re. Blloku i drejtuar nga Eisenkot ka aktualisht 48 vende në Knesset, parlamentin izraelit me 120 deputetë, ndërsa për shumicën nevojiten 61. Reuters raporton se Eisenkot, i cili ka marrë mandatin për formimin e qeverisë, duhet të sigurojë mbështetjen e forcave të tjera politike përpara afatit të 6 dhjetorit. Negociatat me partitë ultraortodokse dhe mundësia e mbështetjes nga partitë arabe mbeten vendimtare për fatin e koalicionit.
© SYRI.net